Trageti me qindra pasagjerë merr flakë, disa ende nuk gjenden… rrëfimet e personave që shpëtuan

 Trageti me qindra pasagjerë merr flakë, disa ende nuk gjenden… rrëfimet e personave që shpëtuan

Një traget me 290 persona i linjës Brindizi (Itali)- Igumenicë (Greqi), u përfshi nga flakët orët e para të mëngjesit të kësaj të premte.

Pas përpjekjeve të mëdha nga autoritetet greke, shumica dërrmuese e pasagjerëve e anëtarëve të bordit kanë mundur të shpëtojnë. Por ende mbeten të zhdukur të paktën 10 persona, ndërsa 2 pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në garazhin e makinave të tragetit.

Trageti me flamur italian “Euroferry Olimpia” u përfshi nga flakët teksa lundronte pranë Korfuzit. Siç raporton media greke 278 persona nga totali i 290 njerëzve që ishin në bordin e anijes, tashmë janë shpëtuar.

2 pasagjerë, me origjinë bullgare e turke, kanë mbetur të bllokuar në garazhin e tragetit. Puna për fikjen e vatrave të zjarrit vijon ende, në përpjekje për të bërë të mundur shpëtimin e dy personave të bllokuar.

Sipas pronarit të anijes, zjarri ka shpërthyer në njërin prej garazhëve të tragetit. Ekuipazhi ka tentuar të fikë flakët, por nuk ka mundur t’i mbajë dot nën kontroll, e kësisoj kanë njoftuar autoritetet për nevojën e braktisjes së anijes.

Për të shpëtuar pasagjerët e ekuipazhin u nisën tre mjete lundruese të cilët i dërguan këta të fundit në Korfuz.

Një prej pasagjerëve që i shpëtoi flakëve e tymit, tregoi në një intervistë për frikën se mund të ketë viktima.

“Ne u çuam rreth orës 04:30 të mëngjesit dhe pamë se zjarri kishte nisur në një garazh të tragetit e ishte përhapur me shpejtësi. Aktualisht unë jam në një varkë shpëtimi… kam frikë se jo të gjithë mund të jenë shpëtuar, pasi shumë njerëz do të kenë qenë duke fjetur në (makina) garazh”-tha pasagjeri në një telefonatë direkte me një televizion grek.

Një tjetër dëshmi e një pasagjeri, dhënë për median greke, tregoi përjetuan momente tmerri dhe se në bord kishte një sërë fëmijësh e foshnjesh.

“Përjetuam momente dramatike, kam lundruar me anije për 26 vite e kurrë nuk më kishte ndodhur diçka e tillë. Dëgjuam një sërë shpërthimesh e vrapuam nëpër korridoret e tragetit për të shpëtuar. Ishin disa fëmijët të vegjël që po bërtisnin e qanin, nuk dinim çfarë të bënim. Nga ajo që unë dëgjova, zjarri kishte shpërthyer në një kamion e më tutje flakët kishin përfshirë makinat e tjera”-tha Elias Economopoulos për Newsbomb.gr.

“Po flinim gjumë në kabinë, kur erdhën e na zgjuan. Në një moment dritat ikën. Nuk e di a po flinin njerëz nëpër makina, pasi diçka e tillë ndodh shpesh edhe pse është e ndaluar”-tregoi një tjetër pasagjer, shofer kamioni.

Dy anije të Forcës Detare të Shqipërisë i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, pasi tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territoriale, ashtu siç njoftoi Ministri i Mbrojtjes Peleshi.