Tragjedia në Greqi, familja e shqiptarit vritet në banesë… çfarë zbuluan hetimet e deritanishme

 Tragjedia në Greqi, familja e shqiptarit vritet në banesë… çfarë zbuluan hetimet e deritanishme

Mbrëmjen e djeshme një krim i katërfishtë ndodhi në zonën e Andaviadës në Ilia, ku familja e një shqiptari u vra në mënyrë brutale. Viktimë mbeti 32 vjeçari shqiptar, e shoqja 28 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 3 dhe 2 vjeçarë.

Fillimisht në median greke u hodhën dyshime se vrasjen e kishte kryer 32 vjeçari shqiptar, ndërsa më tutje ky i fundit i ka dhënë fund jetës së tij.

Por me kalimin e orëve dhe zbulimin e të tjera detajeve, media lokale atje vuri në dukje se mund të kemi të bëjmë me vrasjen nga ana e ish bashkëshortit të 28 vjeçares.

Këtë të enjte, duket se dhe kjo pistë mund të jetë e pasaktë. Siç raporton “Protothema”, ish bashkëshorti i 28 vjeçares ka një alibi, pasi në kohën e prezumuar të vrasjeve, ai ka qenë duke punuar në Athinë.

Protothema ka hedhur dritë mbi një sërë detajesh, duke vënë në dukje se ka qenë një 12 vjeçar ai që ka hyrë i pari në banesë, duke u përballur me skenën e krimit. 12 vjeçari është djali i 28 vjeçares (media greke thotë se është me origjinë rumune), e cila ka qenë e martuar më parë.

Më poshtë po sjellim detajet e përcjella nga Protothema

Vrasësi i vendosi trupat në një trajler për t’i zhdukur

12 vjeçari që zbuloi i pari skenën e krimit është në gjendje shoku dhe hetuesit ende nuk kanë mundur ta marrin në pyetje.

Babai i 12 vjeçarit, i cili me origjinë është grek, tregoi se punon në Athinë dhe është nisur tashmë në Andravida për të marrë të birin.

Ky i fundit ka një alibi, pasi u dyshua se mund të kishte qenë ai personi që kishte kryer krimin e katërfishtë. Por babai i 12 vjeçarit tregoi se ka qenë duke punuar në kohën kur ka ndodhur krimi.

Kur ka hyrë në shtëpi, 12 vjeçari ka parë vëllain e tij të vogël të pajetë, ndërsa trupat e tjerë nuk i ka parë pasi ata ishin lëvizur nga vendi i krimit.

Nga të dhënat e deritanishme nuk përjashtohet mundësia se autori ka patur bashkëpunëtorë. Autori ka vrarë me armë babain me origjinë shqiptare dhe të shoqen, ndërsa dy fëmijët e mitur janë mbytur.

Kur u pyetën fqinjët pranë familjes së shqiptarit, ata i thanë autoriteteve se nuk kanë dëgjuar zhurmë armësh apo klithma.

“Skena horror në Andravida”

Sipas të dhënave të grumbulluara nga policia, e cila ndenji përgjatë gjithë mbrëmjes në shtëpinë ku ndodhi krimi, skenari se përgjegjës ishte 32 vjeçari shqiptar, duket se ka rënë poshtë. Trupat e 32 vjeçarit e 28 vjeçares u gjetën në një trajler në një depo të shtëpisë, ndërsa trupi i tre vjeçarit u gjet në tokë, fare pranë prindërve të tij. Ndërkohë fëmija tjetër 2 vjeçar, u gjet i vdekur në shtëpi dhe i pari që pa skenën ishte vëllai i tij 12 vjeçar.

Mesa duket nga skena e krimit, autori i vrasjeve i ka ngarkuar dhe ka dashur që t’i largojë trupat, por nuk ka mundur ta çojë planin deri në fund.

Më tutje, një sërë shenjash gjaku janë gjetur në brendësi të shtëpisë, ndërsa plagët që kanë burrë e grua tregojnë se janë qëlluar me armë.

12 vjeçari u mundua të shpëtojë vëllanë

Menjëherë sapo pa të vëllanë të shtrirë në tokë, 12 vjeçari e mori në krah të miturin dhe doli jashtë shtëpisë duke bërtitur për ndihmë. Një burrë që ndodhej aty pranë, pasi kishte një biznes të tij, e pa 12 vjeçarin për herë të parë. “Fëmija kishte vdekur” tregoi burri teksa u përball me të miturin që mbante të vëllanë.