Tre anëtarë të një familje nga Kosova ndërrojnë jetë në bregdetin e Shqipërisë

 Tre anëtarë të një familje nga Kosova ndërrojnë jetë në bregdetin e Shqipërisë

Tre anëtarë të një familje nga Gjilani i Kosovës kanë ndërruar jetë tragjikisht për shkak të helmimit nga ushqimi. Të tre anëtarët e familjes ndodheshin për pushime në bregdetin shqiptar, në Gjirin e Lalëzit, në shtëpinë e tyre.

Ata janë ndier keq dhe kanë shkuar për kurim në qendrën shëndetësore Manëz. Por duket se kurimi nuk ka sjellë efekt, pasi gjendja e tyre është agravuar. Ata janë transportuar më tutje në spitalin e Tiranës.

Fillimisht ka ndërruar jetë e moshuara, një ditë më pas i biri dhe ditën e djeshme ka ndërruar jetë edhe gruaja e këtij të fundit.

Në një njoftim zyrtar nga ana e policisë së Durrësit, bëhet me dije se dy prej mjekëve të urgjencës në qendrën shëndetësore Manëz, janë proceduar penalisht nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton drejtoria e policisë e Qarkut Durrës.

REAGIMI I FAMILJARËVE

Djali i çiftit të bashkëshortëve të ndjerë është shprehur për median, duke hedhur dyshime mbi mënyrën dhe seriozitetin e trajtimit mjekësor, kur familjarët e tij janë paraqitur në qendrën spitalore.

Ngjarja ka rrjedhur. Janë infektuar prej disa ushqimeve që i kanë ngrënë. Shqetësuese për ne është neglizhenca dhe mostrajtimi i duhur në shërbimin spitalor të Manzës. Tre pacientë me shkuar me të njëjtat simptoma dhe me u kthyer në shtëpi me barna nuk është normale. Pa analiza, më duket që është diçka jo e duhur për çdo mjek që i thotë vetes mjek.“-tha i riu.

Më tutje ai ka shtuar se edhe qeni i familjes ka ngordhur, pa çka se ai nuk konsumon ushqimin që kanë konsumuar të ndjerët.

Kanë kaluar vetëm me një serum dhe i kanë liruar kanë ardhur në shtëpi me barna. Gjendja ka qenë e rëndë. Nuk ka qenë e mirë. Nuk mund të lirohet pacienti në atë mënyrë. Sikur të ishte vetëm një hajde. Por tre pacientë me simptoma të njëjta. Kjo është e pakuptueshme. Është shumë herët për të folur.

Mjekësia ligjore ka për të thënë fjalën e vet. Procedurat janë kryer. Kjo është sipas atyre, e konsideruar si vdekje e dyshimtë. Problemi që më shqetëson është se ne e kemi pasur edhe një qen. Pse vdiq qeni? Familjarët e dinë që ushqimin që konsumon familja nuk i han qeni. Kisha pas dëshirë që kjo që them sot të jetë verdikti. Ne nuk dimë qe qeni konsumon kërpurdha.”, u shpreh ai.

Kujtojmë se në media është diskutuar dyshimi i helmimit të familjarëve për shkak të konsumimit të kërpudhave. Familjarët e hedhin poshtë këtë argument, ndërsa do të jenë konkluzionet e mjekësisë ligjore ato që do të hedhin dritë të plotë në lidhje me shkakun e helmimit.

REAGIMI I SPITALIT TË TIRANES (QSUT)

Ndërkohë, QSUT ka dhënë këtë deklaratë në lidhje me ngjarjen:

Paraditen e dt. 06.05.2021 në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme QSUNT, pacientët I. H mosha 78 vjec, A. H mosha 56 vjec dhe F. H mosha 47 vjec, janë paraqitur me ambulancë, me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha. Gjëndja e pacientëve paraqitej e rëndë.

Pasi i jane kryer gjitha ekzaminimet dhe konsultat sipas protokolleve mjekesore te urgjences dhe jane hospitalizuar fillimisht ne Shërbimin e Toksikologjisë dhe pas dhe në mbrëmje për shkak se gjendja e tyre u përkeqësua u trasferuan në Shërbimin e Reanimacionit Qendor.

Pavaresisht perpjekjeve te mjekeve, ata kanë ndërruar jetë pranë ketij sherbimi : pacientja I. H dt 06.05.2021, pacienti A. H ne dt. 07.05.2021 dhe pacientja F. H ne dt. 08.05.2021″-thuhet në njoftim.