Tre qentë shpëtojnë 8 fëmijë nga rreziku i mbytjes në plazhin italian

 Tre qentë shpëtojnë 8 fëmijë nga rreziku i mbytjes në plazhin italian

Tre familje me 8 fëmijë nga mosha 6 deri në 12 vjeç, janë shpëtuar nga dallgët e rryma e detit në Sperlonga të Italisë, falë ndërhyrjes (besojeni ose jo) të këtyre tre qenve. Labradorët Eros, 4 vjeç, Mia 7 vjeç e Mira, 5 vjeçe, ishin tre qentë që i shpëtuan jetën 14 personave (tre familjet), të cilët ndodheshin afro 100 metra larg bregut të detit.

Si ndodhi ngjarja

Sipas medias italiane, tre familjet së bashku me 8 fëmijët e tyre ishin afro 100 metra larg bregut. Shumë prej fëmijëve po qëndronin në dyshekë plazhi e për shkak të dallgëve disa prej tyre kanë rënë në ujë. Disa nga fëmijët kanë patur vështirësi për të qëndruar mbi ujë dhe rrymat detare e kanë bërë të vështirë edhe më shumë situatën. Një nga familjarët ka bërtitur për ndihmë.

Një vajzë ka dëgjuar thirrjet dhe ka vënë në dijeni rojet bregdetare. Tre qentë labradorë janë nisur menjëherë në det dhe sipas medias italiane në një hark kohor prej 20 minutash, kanë mundur të nxjerrin nga uji të rrezikuarit.

Në median italiane thuhet se të pranishëm kanë qenë afro 400 persona, të cilët kanë parë sesi 3 qentë kanë shpëtuar 14 vetë.