Trupat e 45 viktimave të tragjedisë në Bullgari mbërrijnë në Shkup, u dërgohen familjarëve

 Trupat e 45 viktimave të tragjedisë në Bullgari mbërrijnë në Shkup, u dërgohen familjarëve

Pas një pritje disa ditore, raskapitëse dhe të gjatë, familjarët e 45 viktimave të tragjedisë së 23 nëntorit, mund të përcjellin të dashurit e tyre në banesën e fundit.

Avionët transportues nga Bullgaria mbërritën këtë të premte në mesditë. Përmes homazheve trupat e 45 viktimave u përcollën në automjete për t’ju dërguar familjarëve. Media lokale përcolli këto pamje.

Të prekur e  për të dhënë ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave, kanë dalë edhe pilotët e aeroplanëve bullgarë që sollën trupat e të ndjerëve. Pas nxjerrjes së arkivolëve, 4 pilotët e dy avionëve kanë ngushëlluar familjarët që ndodheshin në aeroport.

Qytetarë të shumtë bëjnë homazhe në sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup

Të shumtë kanë qenë qytetarët të cilët kanë nderuar viktimat në sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup. Disa prej tyre, duke folur për Alsat, janë shprehur mjaft të trishtuar e të prekur nga tragjedia e ndodhur ditë më parë në Bullgari.

“Edhe neve rëndë po na vjen. Varret në fshatin tim i kanë çelë, i kanë bërë gati. Unë e mendoj si me qenë vetë i prekur nga ajo çka ndodhi.”-tha një qytetar.

Për kët lajm unë shumë kam ken i dhimbtur. Kjo është tragjedi e madhe, një dhimbje e madhe.”-tregoi një tjetër qytetar, shqiptar i Maqedonisë së Veriut.