Varreza e zbuluar në një lagje të Përmetit, Ministria e Kulturës: I përket kohës së mesjetës

 Varreza e zbuluar në një lagje të Përmetit, Ministria e Kulturës: I përket kohës së mesjetës

Varreza e zbuluar në një lagje të Përmetit, e cila dyshohej t’i përkiste viktimave të regjimit komunist, rezulton të jetë një varrezë mesjetare.

Lajmin e përcjell Ministrja e Kulturës, ndërsa këtë mesditë, përfaqësues të shoqatës së të përndjekurve thanë se me gjasë, varret i përkasin viktimave të regjimit komunist.

Më poshtë gjeni njoftimin e përcjellë nga Ministrja e Kulturës.

Një varrezë mesjetare zbulohet në Përmet!

Gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit Task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”, dolën në dritë disa varre.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër ndërmori menjëherë pezullimin e punimeve, dhe në datën 07.07.2021 specialistët tanë realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren.

Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar.

Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.