Vdekja e Anri Kashikut në Durrës, policia sqaron dinamikën e ngjarjes

 Vdekja e Anri Kashikut në Durrës, policia sqaron dinamikën e ngjarjes

Policia e Durrësit ka shpjeguar dinamikën e ngjarjeve të ndodhura pasditen e djeshme, atje ku ndërroi jetë 18 vjeçari Anri Kashiku, në orvatje për të shpëtuar  dy të mitur, vëllanë e një mik të tij.

Policia saktëson se flamuri i kuq për rrezikun e hyrjes në det ka qenë i vendosur nga roja bregdetare, por pavarësisht sinjalizimit, dy të miturit kanë hyrë në det.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ka rezultuar se roja bregdetare, shtetasi I. Sh. e kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i lartë.

Pavarësisht kësaj, fëmijët janë futur në det, duke rrezikuar jetët e tyre.

Pas disa minutash, të miturit i kanë kërkuar ndihmë një shtetasi që po lundronte me një varkë me pedale, afër tyre. Për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve. Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, nderkohe qe 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta.

Nga ana e punonjësve të Policisë të DVP Durrës dhe DVKM Durrës është ndërhyrë menjëherë dhe pas rreth 50 minutash është gjetur dhe nxjerrë nga uji, trupi i pajetë i shtetasit A. K.”-shpjegon policia.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen ka folur për mediat edhe roja bregdetare i cili së bashku me 18 vjeçarin shkuan të shpëtojnë të miturit.

“Kishim sinjalizuar që askush s’duhej të futej në det, pasi deti ishte i trazuar. Pamë dy të mitur që hynë në det dhe i njoftuam që të mos hyjnë. Nuk më dëgjuan.  Me mua për të ndihmuar erdhi dhe vëllai i njërit prej të miturve. Me not ishim, ndërsa një tjetër ishte me pedalon. I nxorrëm dy të vegjlit afër bregut. Duke menduar se ishte dhe një për të ndihmuar, kam kthyer kokën e kam parë vetëm kapelën në det. Dallgët ishin shumë të mëdha.”-shpjegoi roja bregdetare.