Si u shpëtuan dy të miturit nga mbytja, flet vëllai i 18 vjeçarit të ndjerë Anri Kashiku

 Si u shpëtuan dy të miturit nga mbytja, flet vëllai i 18 vjeçarit të ndjerë Anri Kashiku

Vëllai i mitur i Anrit Kashikut, ka rrëfyer përpara hetuesve se çfarë ndodhi ditën e djeshme në plazhin e Durrësit, atje i vëllai 18 vjeçar humbi jetën në orvatje për ta shpëtuar atë dhe mikun.

Në dëshminë e dhënë nga i riu përpara policisë, vëllai i 18 vjeçarit të ndjerë është shprehur se për shkak të detit me dallgë, patën vështirësi për të dalë në breg dhe kësisoj kërkuan ndihmë. Shumë persona në atë plazh, përfshi dhe rojen bregdetare, njiheshin nga djemtë që rrezikuan mbytjen.

 “Shkuam në det me komshiun qe e kam edhe shok dhe me vëllain tim më të madh. Atje kemi edhe shokë të tjerë që punojnë tek plazhi, kamarierë dhe te çadrat. Unë dhe shoku im u futëm për tu larë në det. Notin e dimë shumë mire se shkojmë shpesh në plazh dhe kryesisht aty në atë zonë. Ecëm pak thelle sepse në breg ishte deti turbullt. Deti kishte shumë dallgë. Shkuam disa metra larg, por kur po ktheheshim dallgët nuk po na lejonin të dilnim, na tërhiqnim në thellësi.

Aty po thërrisnim, ndihmë-ndihmë po s’po na dëgjonte njeri pasi kishte shumë erë të fortë. Na pa shoku vëllait që punon te çadrat. Ne ishim në gjëndje të rënduar pasi dallgët po na rrëmbenin dhe po pinim shumë ujë pasi na zhysnin. Erdhi Igli, (roja bregdetare) me vëllain me shpejtësi dhe mbas tyre edhe një pedalon.

Na ngjitën larte në barkë dhe pastaj na nxorën në breg. Në momentet që hipëm në barkë, po përmbytej edhe barka dhe me vështirësi kemi dalë në breg nga çka mbaj mend. Ndërkohë vëllai nuk arriti të ngjitej në barkë. Me pas na dërguan në spital.

Vonë e morëm vesh se ishte mbytur vëllai. Te gjithë dinim shume mirë not se jemi banorë të zonës dhe e kemi afër detin. Nuk e di si ka mundësi që vëllai s’ka mundur të dalë në breg. Ne shkojmë thuajse përditë në plazh aty se kemi shokë, Igli që rri te kulla është shok i vëllait tim po njohim edhe çunat e tjerë që punojnë aty prandaj e frekuentojmë atë vend”, ka deklaruar i mituri.