Historia e pazakontë, 30 vjeçarin e shpëton nga mbytja një top që gjeti në det

 Historia e pazakontë, 30 vjeçarin e shpëton nga mbytja një top që gjeti në det

Një 30 vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka mundur të dalë gjallë nga deti pas 19 orësh luftë me rrymat detare, vetëm falë një topi që gjeti në det.

I riu, i identifikuar nga media si Ivani, kishte shkuar për të kaluar disa pushime në një ishull të Greqisë. Një rrymë e fortë detare e tërhoqi të riun. Ndërsa ai rrezikonte mbytjen, pranë vetes kishte pikasur një top të vogël që do të kthehej në ‘shpëtuesin’ e tij, duke i dhënë mundësinë që të qëndrojë në sipërfaqen e ujit.

Kur ai u shpëtua nga autoritetet, me vete kishte topin, gjysëm i shfryrë. Media publikoi pamjet e topit që u bë shkas për mbajtjen gjallë të 30 vjeçarit. Një grua kontaktoi me median greke për t’i treguar se topi i përkiste dy djemve të saj të mitur, 11 e 6 vjeçarë. 10 ditë më parë fëmijët po luanin në plazh me topin kur aksidentalisht e kishin humbur prej rrymave.

Pikërisht ky top i vogël, pas 10 ditësh në det, do të bëhej shkas për t’i shpëtuar jetën një 30 vjeçari.