Vetëdorëzohet 28 vjeçari që i mori jetën Shejla Bakijës, zbardhet denoncimi i të ndjerës

 Vetëdorëzohet 28 vjeçari që i mori jetën Shejla Bakijës, zbardhet denoncimi i të ndjerës

Është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme Ilir Gjoka, 28 vjeçari që disa ditë më parë qëlloi për vdekje ish bashkëjetuesen, 19 vjeçaren Shejla Bakija.

Siç raporton media e Malit të Zi, i riu u vetëdorëzua pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Vrasja e ndodhur në Tuz solli një reagim të fortë nga qytetarët e shoqëria civile. Ditën e djeshme në mesditë u mbajt një protestë me një pjesëmarrje të madhe të njerëzve, të cilët kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe se përse autoritetet ligjzbatuese nuk e kishin parandaluar ngjarjen.

Lexo edhe: “Do jesh e imja ose e askujt” Vdekja e 19 vjeçares shqiptare sjell protesta në Malin e Zi

Kjo pasi disa javë para tragjedisë, 19 vjeçarja e kishte denoncuar në polici 28 vjeçarin. Denoncimi i të resë është publikuar në media dhe në të tregohet sesi ajo është kërcënuar me jetë nga 28 vjeçari, i cili nuk ka pranuar ndarjen mes tyre.

“Më 25 gusht 2021, rreth orës 23:00, isha në shtëpinë e prindërve të mi, Karabuško Polje BB, Ilir erdhi, hyri në oborr dhe u ngjit në tarracë. Kur e pashë, u përpoqa ta mbaja derën, por Iliri e shtyu dhe hyri në shtëpi. Pastaj më kërcënoi: Nuk do të kesh asnjë tjetër në qiell apo në tokë. Nuk do të të lejoj të martohesh me një tjetër! Gjaku do të derdhet për këtë gjë! Jeta juaj është në duart e mia! Pastaj ai u largua. Vëllezërit dhe motrat e mia të mitur ishin të pranishëm në shtëpi, të tronditur nga sjellja e Ilirit. Për shkak të gjithçkaje që po më bën Ilir Đokaj, ndihem e kërcënuar dhe kam frikë për sigurinë time ”, ka deklaruar në denoncimin e saj e ndjera 19 vjeçe.