Pamjet, nis zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në pikat kufitare

 Pamjet, nis zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në pikat kufitare

Nga mëngjesi i kësaj të hëne, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë (dhe e anasjelltas), po mbulohen me letër ngjitëse.

E hëna e sotme shënon dhe nisjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur pak ditë më parë mes palëve (Kosovës e Serbisë), me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Marrëveshja parashikon që drejtuesit e automjeteve që kalojnë në kufijtë respektivë të dy shteteve, të vendosin letër ngjitëse tek shenjtat dalluese në targat e tyre.

Më poshtë (video), Zëri Amerikës ka përcjellë pamjet teksa një shofer serb heq shenjat dalluese të shtetit të Serbisë në targat e automjetit, përpara se të hyjë në territorin e Kosovës.

Ndërkohë policia e Kosovës ka përcjellë po ashtu pamje, ku tregohet se dhe shtetasit e Kosovës që duan të hyjnë në Serbi, po zbatojnë marrëveshjen.

“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementim dhe zbatim të vendimit i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e stikersave.

Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që të ju mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të stikersave dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë.

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi.”-thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se sipas marrëveshjes së arritur (për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm), letrat ngjitëse do të përdoren deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. Bisedimet do të nisin më 21 tetor.

Lexo edhe: Marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë, kush janë pikat e dakordësimit