Marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë, kush janë pikat e dakordësimit

 Marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë, kush janë pikat e dakordësimit

Pas mëse një jave tensioni në kufirin në Bërnjak e Jarinjë, Kosova e Serbia e kanë gjetur një marrëveshje për reciprocitetin e targave të automjeteve, një dakordësim i arritur përmes ndërhyrjes së BE-së.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, konfirmoi marrëveshjen, e cila ka tre pika.

Të dy palët pajtohen:

1. Forcat Speciale që qëndrojnë në pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut, do duhet të largohen së bashku me barrikadat e vendosura, duke filluar nga data 2 tetor (nesër) në orën 08:00. Procesi duhet të përfundojë jo më larg se ora 16:00.

Forcat e KFOR-it do të vendosen në pikat kufitare para fillimit të largimit e do të qëndrojnë atje për afri dy javë.

2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3. Pritet të formohet një grup punues me përfaqësues nga BE-ja, Prishtina dhe Beogradi, i cili do të gjejë një zgjidhje të përhershme rreth çështjes së targave, i cili bazohet në standardet e BE-së. Takim i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Gjashtë muaj pas këtij takimi, grupi do të paraqesë gjetjet e kësaj zgjidhje në nivelin e lartë të bisedimeve.