“Zjarrfikësit i nxorën me gurë fresibël” Aksidenti tragjik në Milot, 4 të rinj humbin jetën

 “Zjarrfikësit i nxorën me gurë fresibël” Aksidenti tragjik në Milot, 4 të rinj humbin jetën

Një aksident tragjik ka ndodhur disa minuta pas mesnatës në rrugën Fushë Krujë- Milot, atje ku si rezultat i përplasjes së dy makinave, kanë ndërruar jetë 4 persona në moshë të re.

Drejtuesit e dy automjeteve, përkatësisht 39 vjeçari Alfred Dika e 30 vjeçari Artan Alushi, kanë ndërruar jetë si pasojë e përplasjes së fortë. Në mesin e viktimave janë edhe dy pasagjerë në moshë fare të re, Shkumbin Brati 20 vjeçar dhe një 16 vjeçare me inicialet A.K. Këta të fundit udhëtonin në makinë me Artan Alushin.

Ka mbetur e plagosur edhe një tjetër pasagjere, e cila ndodhet në spital dhe është e vetmja e cila i ka shpëtuar kësaj tragjedie. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e të gjithë ngjarjes.

Një dëshmitar që pa aksidentin tregoi për median se pamjet ishin të dhimbshme dhe se zjarrfikësve i është dashur guri fresibël që të mund të nxirrnin trupat nga makina

“Kanë qenë dy makina. Ka ndodhur rreth orës 1. Kam qenë aty dhe isha në aksident. Roje isha. Cfarë të shikoje njëri nuk i kishte këmbët. Policia erdhi shpejt, zjarrfikësit i kanë prerë me gurë fresibël makinat. Nuk njiheshin për njerëz ashtu ishin bërë.”-  ka thënë dëshmitari.

“Rreth orës 00:15, në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot, një automjet me drejtues shtetasin A. D., 39 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. A., 30 vjeç. Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët, shtetasit Sh. B., 20 vjeç, dhe A. K.,16 vjeçe, që ndodheshin në automjetin që drejtonte shtetasi A. A. Gjithashtu, është dëmtuar shtetasja R. H., 34 vjeçe, pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A.A., e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”-njoftoi policia.

Dy më të rinjtë, 20 vjeçari me 16 vjeçaren ishin fejuar pak kohë më parë, ndërsa lajmi tragjik për ndarjen e tyre nga jeta u përcoll edhe nga familjarët.

Aksidenti ka ndodhur pikërisht në të njëjtin vend ku 2 vite më parë, humbën jetën po ashtu 4 të rinj. Ata udhëtonin në një makinë dhe u përplasën me një kamion në mars të vitit 2020.