11 vite burg vetëm sepse qeshi… historia e një mekaniku në Tiranë

 11 vite burg vetëm sepse qeshi… historia e një mekaniku në Tiranë

Viti 1953. Kajtaz Gaba ishte në atë kohë 27 vjeçar dhe punonte në Tiranë si mekanik. Një shprehi e gjendjes së tij shpirtërore u konsiderua një krim i rëndë nga regjimi komunist, një krim për të cilin ky i ri do të dënohej me burg

Gaba u arrestua më 13 mars të vitit 1953. Akuza?

Kishte qeshur, në një kohë kur në Shqipëri po mbahej zi për vdekjen e Stalinit (5 mars, ’53). Për ta dënuar me disa vite burg, organet e punëve të brendshme të kohës e akuzuan si të përfshirë “në veprimtari të theksuar armiqësore” dhe si një njeri që kishte tentuar të arratisej nga vendi.

Ja çfarë thuhej në vendimin për Kajtaz Gabën:

“Kanë dëgjuar radiostacione të shteteve imperialiste. I kanë komentuar këto lajme dhe kanë konkluduar në ndryshimin e situatës. Veç kësaj me rastin e vdekjes së shokut Stalin, në një kohë kur gjithë populli ynë vajtonte dhe lotonte për humbjen e pazëvendësueshme të shokut Stalin, figura ndërkombëtare e paqes, e socializmit dhe e demokracisë, i pandehuri, bashkë me rrethin e tij armiqësor, gëzohej dhe fërkonte duart se me humbjen e këtij do të dobësohej kampi socialist, do të merrnin guxim imperialistët dhe do të ndryshonte situata e do të kthehej e kaluara, do restaurohej regjimi i urisë, i shtypjes dhe i shfrytëzimit”.

Gaba u dënua me 20 vite burg, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vite. Gaba nuk zotëronte pasuri e kësisoj iu shtua dënimit me punë korrektuese. Dënimin e vuajti në kampet e punës së detyruar dhe prej burgut doli në shtator të vitit 1964, pas mëse 11 vitesh.