Nëna rrëfen për shërimin e djalit, si u bë shkas një ëndërr që e veshi Elvis Naçin si mjek

 Nëna rrëfen për shërimin e djalit, si u bë shkas një ëndërr që e veshi Elvis Naçin si mjek

Ky është rrëfimi i një nëne që u sprovua në jetë me tragjedi e vuajtje, atje ku dhemb më shumë, tek fëmijët. Dy fëmijë i humbi foshnje. Djali i saj i madh i sëmurë e në fund goditja e radhës, djali i vogël.

Kur Manushaqja mësoi se çfarë kishte me të vërtetë i biri, i ra bota mbi krye. Djali nuk dëgjonte dhe problemi i tij shëndetësor ishte i atillë, që nëse nuk operohej deri para moshës 5 vjeçare, dëgjimi e aftësia për të folur do të humbisnin përgjithmonë.

Ajo u rrëfye në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” sesi nisi rrugëtimi për shërimin e djalit. Manushaqja tregoi se kishte parë një ëndërr. Ëndrra kishte qenë për të një sinjal shprese, që do të bëhej shkas për hapjen e mundësisë për kurimin e djalit.

“Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë, të mos dijë se çfarë i dhemb fëmijës. Unë nuk e pata fatin që fëmija të më thërriste nënë, pasi Rubini për shumë vite nuk dëgjoi, e për pasojë s’mund të as fliste. Toka më rrotullohej poshtë këmbëve, nuk kishte dhimbje më të madhe. Shpesh herë e kam larë me lot dyshemenë e shtëpisë…veç ajo nënë që ka fëmijë të sëmurë e kupton një nënë të vuajtur.”

-Në atë kohë ti iu drejtove emisionit dhe ke këmbëngulur shumë…

“Kur mësova për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, thashë faleminderit o Zot, ne si prindër hodhëm një shpresë, thamë shyqyr që dolën këta njerëz të mirë, që nisën këtë mision për të ndihmuar.

Burri më tha do të shkoj ta takoj në xhami Elvisin. Kaloi një, dy javë pa e takuar. I thoja tim shoqi ti sikur po më gënjen, e ai më tha hajde shikoje vetë sesa hallexhinj vijnë e s’po mundem ta takoj. Kaloi ca kohë e tim shoq më tha është e pamundur ta takoj. Ndoshta Zoti do të na japë ndonjë rrugë tjetër më thoshte im shoq…

Ai e la, por unë me vete nuk u dorëzova me shpresën. Këta flinin gjumë, ndërsa unë çohesha natën e lutesha, o Zot më mundëso të takohem me Elvisin. Dy muaj jam lutur… Nuk zgjati shumë e vetëm kur e pashë në ëndërr.

Atje (në ëndërr) sikur u sëmura e po më çonte nëna në spital. Më thanë që ke gjendra në tiroide e duhet të operohesh… Më thanë në ëndërr që doktor është Elvis Naçi. Unë thoja shyqyr o Zot se do t’i them për fëmijët…

Kur u ngrita në mëngjes mora vëllanë në telefon. Ai është  besimtar e i thashë a më shpjegon dot këtë ëndërr, se mua më duket një sinjal, një diçka…

‘Unë nuk di çtë them’ tha, por shko dhe njëherë në xhami se është e premte. I thashë tim shoqi të shkojë në xhami duke e lutur… “të lutëm shko edhe këtë herë për hatër të Zotit, ëndrra që pash më duket një shenjë, nuk e di…” i tregova tim shoqi dhe ai shkoi në xhami.

Bashkëshorti erdhi në xhami dhe e kishte takuar Elvisin. Më mori në telefon e më tha, Elvisi pranoi, do ta shohin rastin e Rubinit. Rashë në gjunjë, thash o Zot i madh, falenderime që ma mundësove takimin, që u mor rastin për djalin.

Nuk e di sa e fortë ka qenë lutja ime, por sot Rubini u bë ky që është… Falenderime pa fund të gjithëve që na ndihmuan… sa fjalë dalin nga goja e Rubinit, aq herë bekime e urime keni nga unë, nuk do të më mjaftojë jeta për t’ju falenderuar.”-tregoi Manushaqja.

Ishte ëndrra e kësaj nëne e cila u bë shkak, sebep, që dëshira e saj më e madhe të bëhej realitet. Falë bamirësisë së shqiptarëve, sot Rubini dëgjon dhe mundet të flasë… një mrekulli e vërtetë, siç tregon kjo video (më poshtë).