“Im shoq po kalbet në tokë… i përgjërohem shqiptarëve, kam 4 jetimë e një fëmijë në bark”

  “Im shoq po kalbet në tokë… i përgjërohem shqiptarëve, kam 4 jetimë e një fëmijë në bark”

Gushtin e vitit të kaluar mbeti e vetme me fëmijët. Vajza më e madhe është ende 11 vjeçe. I shoqi i ndërroi jetë dhe e la në terrin e vetmisë. Jeton në një shtëpi me qira në Babrru dhe çdo ditë mendon sesi do të shkojë deri në ditën tjetër. Në bark mban një djalë, ashtu siç kishte ëndërruar i shoqi i ndjerë. Fatkeqësisht, kjo foshnje ende e palindur, nuk do ta njohë të atin kurrë nga afër, veçse përmes atyre pak fotove apo tregimeve të familjes.

“Mos i raftë kujt ajo që më ka rënë mua… më la vetëm, mes katër rrugëve, tani po vjen dhe i pesti. Kur i thashë që jam shtatzënë, u gëzua shumë. Më tha, inshallah është djalë moj grua… por më në fund, nuk e gëzoi. Nuk ka për ta parë djalin…

Shumë kam merak, veç kur të vdes do e harroj… im shoq u kalb në tokë, 35 vjeç ishte. Na mungon shumë, ishte kryesori i shtëpisë. Për çdo gjë ishte ai njeri, në darkë kur vinte fëmijët e shtrëngonin. Keq sa ska, më vjen…”-tregon nëna e 4 jetimëve e një të pesti që pritet të vijë në këtë botë.

Me lot në sy, ajo rrëfen për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se është e vetme dhe pa asnjë përkrahje. E vetmja shpresë e saj, është ta ndihmojnë shqiptarët.

“Në spital shkoj vetëm… në analizat e fundit më tha mjekja që do të kem djalë. Unë për fëmijët jam sa të duash fajtore, kam hyrë në gjynah. Por jemi në hall të madh për atë Zot, më la Zoti 5 fëmijë. Në asnjë vend nuk kam mbështetje, kurrkush nuk na ka ndihmuar. Ku të përplasem, ku të shkoj, as për punë nuk jam tani.

Pak ditë më parë bleva 25 mijë lekë për ilaçe, po sikur të marr të ilaçe për të gjithë…? Çfarë të bëjë, çfarë t’ju them… veçse të jap shpirtin, tjetër nuk kam.

Për fëmijët më vjen gjynah sa s’ka, më kërkojnë, por unë nuk kam as lekë e as bukë për t’u dhënë fëmijëve. Në shkollë ikin pa bukë.

Qëkur ka vdekur im shoq, nuk kam mundur ta paguaj qiranë. Mezi ia dal me ushqimet, jo më të gjej para. Frika ime më e madhe është se do të mbetem rrugëve. E vetmja gjë që kërkoj është strehim për fëmijët, i lutem shqiptarëve, kushdo ka mundësi, të ndihmojmë këto 5 jetimë.”-tha nëna.