“Ajo vajzë ishte prezente kur i vdiq i ati! Gjendja e tyre ekonomike është ku thërret qameti”

 “Ajo vajzë ishte prezente kur i vdiq i ati! Gjendja e tyre ekonomike është ku thërret qameti”

“Të lutem, mos u mërzit, të kam xhan”

Këto janë fjalët e një mësuese. Shumë shpesh ajo i thotë këto fjalë. Në klasën e saj është një vajzë që jo të pakta i ka vuajtjet.

Daniela struket tek krahët e mësueses kujdestare. Lotët janë mbase e vetmja mënyrë për të nxjerrë dhimbjen që kjo vajzë mban në zemër

 “Jam mësuesja kujdestare e Daniela Vladit. Është shumë e urtë, por në sytë e saj e shikoj dëshpërimin. Në pushimin e gjatë ajo rri tek cepi i shkollës. Nuk e shikoj ndonjëherë të hajë diçka si moshatarët e saj. Duke korrigjuar përshkrimet, detyrat e saj… aty paraqitet gjendja e saj shpirtërore. Kuptova se ka nevojë për një mbështetje”-tregon mësuesja kujdestare.

E ndonjëherë edhe shokët e klasës përloten, sikur ta ndjenin njëlloj dhimbjen. Ata e dinë vuajtjen e Danielës.

Kur vjen ora e pushimit, Danielën e gjen me të motrën e madhe, Suelën. Të dyja qëndrojnë veçmas. Në sytë e tyre dallon lehtë trishtimin që mbajnë në shpirt.

Peshën e madhe që mbajnë këto vogëlushe, na e tregon drejtoresha e shkollës ku mësojnë vajzat. Ajo me stafin pedagogjik kontaktuan “Shqiptarët për Shqiptarët”, me shpresën për t’i dhënë ndihmë vajzave, të cilat në vuajtjet e tyre nuk janë të vetme.

“Danjela me Suelën janë dy nxënëse që kanë ardhur tek ne para dy vitesh. Janë të ndrojtura, të vetmuara, sikur nuk e njihnin ambientin, sikur kishin frikë. Më bëri përshtypje në takimin e parë me ta. Këmbëngula të takoja prindërit. Erdhi e ëma. Edhe ajo, dukej qartazi, kishte probleme nga ana shpirtërore. Jetojnë këtu në zonën e Babrrusë (Tiranë) me qira në një shtëpi. Gjendja e tyre ekonomike, ku ‘thërret qameti’, siç thotë populli.

Babai i vajzave vdiq në gusht. Vajzat kishin pësuar një traumë të madhe. Vajza e madhe ka qenë prezente në vdekjen e të atit,  ajo ka pësuar një goditje të madhe psikologjike. Ishte e trembur, e shokuar, e hutuar… duhet të punonim shumë nga ana psikologjike me vajzat.

Vajzat në shtator nuk erdhën në dy javët që kishim përsëritje. Kur i pyeta, përgjigja e tyre, e heshtur, ‘nuk do të jemi më’. Më goditi kjo fjalë, si vajzat do të lënë shkollën… bëmë të pamundurën për t’i ndihmuar, por kaq është hapi ynë.

Ata kanë nevojë për një çati mbi kokë. Uroj që udhëtimi juaj kaq i bukur, me nota të thella bamirësie, të vazhdojë pa ndërprerë. Ndihem e privilegjuar që morët përsipër kërkesën e stafit tonë pedagogjik. Kush më mirë mund të bëjë sesa shqiptarët për shqiptarët, për të ndihmuar një zonjë që ka 4 fëmijë të vegjël“-shpjegoi drejtoresha e shkollës 9 vjecare “Vëllazërimi”