25 vjet orvatje për të nxjerrë nga spitali vëllain e saj autik, rrëfimi i motrës: Nuk dorëzohem kurrë

 25 vjet orvatje për të nxjerrë nga spitali vëllain e saj autik, rrëfimi i motrës: Nuk dorëzohem kurrë

Një investigim i BBC-së zbuloi vitin e kaluar, se të paktën 100 persona me autizëm, ishin mbajtur të hospitalizuar për më shumë se 20 vite, e në jo pak raste në kushte aspak të përshtatshme.

Që nga ajo kohë, shumë familje në Britani kontaktuan BBC-në, për të treguar historitë e tyre. Brixhin, një grua në moshë, tregoi historinë e vëllait të saj autik, i cili shkoi në spital për disa javë… por mbeti i mbyllur aty për mëse 25 vite.

“Unë e imë më po qanim. Brajani kishte tentuar t’i bënte keq vetes, ndërsa mjekët po tentonin ta merrnin në ambulancë.”

Nënë e bijë folën me mjekët në spitalin e specilizuar dhe këta të fundit i thanë se Brajani, do të qëndronte për afro 12 javë, e pas trajtimit më tutje do të lirohej.

Por që nga ajo kohë, tashmë kanë kaluar 25 vite. Brajani hyri atje në moshën 21 vjeçare, e tashmë është afër të 50-tave. Që nga ajo kohë, e motra dhe familja e tij, janë munduar që ta nxjerrin prej spitalit Brajanin, që ai të mund të jetojë i qetë në shtëpinë e tij.

“Im vëlla nuk ka lëvizur kurrkund. Ka 25 vite që qëndron i mbyllur në të njëjtat mure. Im vëlla kishte nevojë për ndihmë, por gjithashtu kishte nevojë që të vinte në shtëpi në kohën e parashikuar.

Brajani është i prekur nga autizmi. Nuk ka krijuar aftësinë për të folur. Ai u shtrua në spitalin Muckamore Abbey, institucion në të cilin plasi një skandal i madh i abuzimit të një pjese të stafit me pacientët.

E teksa dhjetëra krime e shkelje u konstatuan në këtë spital, Brixhin vijon ende luftën e saj 25 vjeçare, për ta shpëtuar të vëllanë nga muret e spitalit e rikthimin e  tij në shtëpi.

Mes lotëve, ajo thotë këto fjalë për BBC-në: Kurrë nuk do të dorëzohem. Kurrën e kurrës. Derisa të jem gjallë, do vijoj të luftoj për të nxjerrë tim vëlla nga spitali, për ta sjellë në shtëpi… ku ai mund të jetojë pjesën e mbetur të jetës i qetë dhe i lumtur.

Historia e Brajanit është vetëm njëra ndër disa rrëfimet që BBC ka mundur të sjellë në publik. Një tjetër histori është ajo e një tjetër burri, i cili po ashtu kishte mbetur i mbyllur në spital për 2 dekada. I vetmi “krim” i tyre, ishte se kanë lindur me autizëm