4 të vrarë dhe dy të plagosur, bilanci tragjik i një përplasje për shezlongët në Velipojë

 4 të vrarë dhe dy të plagosur, bilanci tragjik i një përplasje për shezlongët në Velipojë

Një sherr në orët e pasditesh për hapësirat e plazhit dhe disa shezlongë, është kthyer në tragjedi disa orë më pas në Velipojë, me shuarjen e 4 personave e plagosjen e dy të tjerëve.

Sipas autoriteteve policore, të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku 59 vjeçar, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeçar,si dhe Musaen Zeneli, vetëm 20 vjeç (kamarier).

Të plagosur mbetën vëllai i viktimës Kujtim Ferracaku, si dhe një 17 vjeçar. Të dy ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Kujtim Ferracaku së bashku me të vëllanë, janë pronarë të një hoteli që ndodhet pranë hotelit të vëllezërve Gocaj.

Palët janë konfliktuar për disa shezlongë. Konflikti ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve dhe ka zgjuar të tmerruar plot pushues. Disa prej tyre kanë vendosur të ikin këtë të dielë.

Në orët e vona të mbrëmjes, drejtori i policisë Shkodër, Niko Brahimaj, dha këto detaje në lidhje me përplasjen dhe shkëmbimin e zjarrit mes dy palëve.

“Rreth orë 00.30 minuta në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet të  jashtëm të hotel Gocaj ku për shkak të konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta. Motive të dobëta, duhet të them për shkak të ndarjes së pronësisë mbi ambientet ose mbi sipërfaqet e rërës që shfrytëzohen për vendosjen e çadrave dhe shezlongëve.

Si rezultat ka gjetur vdekjen Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, dhe 2 anëtare të familje Gocaj, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç. I vdekur ka mbetur edhe Myzerim Zeneli 20 -vjeç punonjësi i shezlongëve, vetëm 20 vjeç. I plagosur në ngjarjen e rëndë ka mbetur Hasan Ferracaku 54-vjeç, si dhe Elmilind Dyli 17-vjeç.

Policia ka marrë masa dhe ka mbërritur në vendngjarje. Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë. Një pistoletë është sekuestruar. Janë sekuestruar një numër kamerash sigurie. Shumë shpejt do të ketë persona të arrestuar.”

Njoftimi i policisë:

Velipojë/Shkodër

Informacion paraprak

Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.

Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.