Krim i rëndë në familje, 44 vjeçarja i merr jetën vjehrrës pas konfliktit të çastit
Vrasja në familje rikthehet sërish. Kësaj here ishte një grua ajo që i mori jetën një gruaje tjetër. Krimi i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Burim të Maqellarës. Një konflikt i momentit mes 44 vjeçares me inicialet M.M dhe vjehrrës së saj, ka përfunduar në tragjedi. Nusja ka goditur të moshuarën 74 vjeçe me thikë në pjesën e fytit. E moshuara ka ndërruar jetë në vend.
Familjarët kanë lajmëruar autoritetet policore, të cilët kanë arrestuar gruan dhe bërë të mundur sekuestrimin e armës së krimit.
Një prej të afërmve tregoi për median se gruaja vuante nga probleme mendore.
Çfarë tha policia
“Goditi me mjet prerës ( thikë), vjehrrën e saj duke i shkaktuar vdekjen, arrestohet në flagrancë nga policia 44 vjeçarja. Nga specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases : M. M., 44 vjeçe, banuese në fshatin Burrim, Maqellarë, pasi në orët e mbrëmjes datë 11.04.2021, në banesën e saj dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) vjehrrën e saj, shtetasen N. M., 74 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë menjëherë. Grupi hetimor në vendngjarje ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës që dyshohet se është përdorur nga autorja e ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vrasje për shkak të marrdhënieve familjare”,njoftoi policia.
E dyta ngjarje brenda 24 orëve, pas asaj në Kavajë
Kujtojmë se po ditën e djeshme, një 48 vjeçar mbylli të shoqen në makinë dhe më pas i vuri flakën. Gruaja u dogj e gjallë, ndërsa autori i dha fund jetës duke u vetëvarur në një pemë.