A do të ketë diskutime për ndalimin e luftës? Zelenski dakordon për një takim në kufirin ukrainas

 A do të ketë diskutime për ndalimin e luftës? Zelenski dakordon për një takim në kufirin ukrainas

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski ka përcjellë këtë të dielë një deklaratë për shtyp, fill pas diskutimit (telefonik) të tij me liderin bjellorus Lukashenko.

“Ramë dakord që një delegacion i Ukrainës të mund të takohet me delegacionin rus pa patur parakushte, në kufirin mes Ukrainës e Bjellorusisë, pranë lumit Pripiat”-thuhej në deklaratën e liderit të Ukrainës.

“Aleksandër Lukashenko ka marrë përgjegjësinë që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorus, të qëndrojnë në tokë, në kohën kur delegacioni ukrainas do të udhëtojë, të diskutojë e më tutje largohet”-thuhet më tutje në deklaratë.

Kujtojmë se më herët, Zelenski refuzoi një takim me delegacionin rus në Minsk, duke argumentuar se një pjesë e mirë e sulmit rus erdhi pikërisht nga territori bjellorus.

As Rusia e Bjellorusia deri më tani, nuk janë deklaruar për bisedime të mundshme.