Aksident tragjik në Kosovë, 4 persona humbin jetën… mes tyre një fëmijë 12 vjeç

 Aksident tragjik në Kosovë, 4 persona humbin jetën… mes tyre një fëmijë 12 vjeç

Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të dielë në rrugën Ferizaj- Shtimë në Kosovë, ku janë përplasur dy makina e për pasojë kanë ndërruar jetë 4 persona. Veç 4 viktimave, një grua ka mbetur e plagosur.

E lënduara është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritetet njoftuan se aksidenti ndodhi mes një makine Audi dhe një Volkswagen-i të vjetër, i tipit Golf2. Pikërisht në këtë të fundit kanë vdekur 4 persona, të gjithë familjarë mes tyre.

Autoritetet dhanë këtë lajmërim për mënyrën sesi ndodhi aksidenti:

“Sot, rreth orës 15:37 në fshatin Koshare të Ferizajt, ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku të përshira ishin dy automjete civile të udhëtarëve. Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M ( M/SHK/) 22 vjeçar po qarkullonte, nga drejtimi i Ferizajt në drejtim të Shtimes dhe me të arritur në fshatin Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VW Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt, nga Shtimja në drejtim të Ferizajt .

“Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 4 persona të cilët ishin në automjetin VW Golf : N.R. 39-vjeçar – drejtues i automjetit, XH.R., 60-vjeçare, S.R. 32-vjeçare dhe Y.R., 12-vjeçar. Personat e lënduar janë I.R., 32-vjeçe, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, dhe e cila ishte pasagjere në automjetin VW Golf, Y.H., 21-vjeç dhe L.H. 21-vjeç, pasagjerë në automjetin Audi, dhe të njëjtit, pasi kanë marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, janë liruar.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor – Ferizaj ka marrë të gjitha masat e nevojshme për hetimin e rastit, në koordinim edhe me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka dalë në vendin e aksidentit. Me vendim të tij, trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari, drejtuesi i automjetit Audi, E.M, ndalohet në mbajtje për 48 orë. në rrugën “Mehmet Kacuri”-njoftoi policia e Kosovës.

Mbi ngjarjen e trishtë, kryetari i komunës së Shtimës bëri këtë njoftim, ndërsa komuna propozoi për shpalljen e së nesërmes, si një ditë zie.