Berat, 32 vjeçari mohon të jetë qëlluar me thikë nga i ati: Lirojeni, nuk ka faj ai i shkreti

 Berat, 32 vjeçari mohon të jetë qëlluar me thikë nga i ati: Lirojeni, nuk ka faj ai i shkreti

Një ngjarje trishtuese ndodhi ditën e djeshme në Berat, atje ku një 32 vjeçar mbeti i plagosur rëndë nga goditjet me thikë. Teksa i riu (Andrea) u dërgua në spital, babai i këtij të fundit u vu në pranga nën dyshimin se ishte ai autori i ngjarjes.

“Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. Sh., 66 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në banesë, pas një debati për motive të dobëta ka goditur me mjet mprehës (thikë), në trup djalin e tij shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Berat.”-njoftoi ditën e djeshme policia.

Por ndryshe është deklaruar këtë të martë 32 vjeçari. Në një prononcim për një emision televiziv, ai tha se ka qenë në gjendje të dehur dhe është lënduar aksidentalisht. Ai tregoi se babai i tij nuk ka faj dhe se duhet liruar nga policia.

32 vjeçari tregoi gjithashtu se ndodhet në gjendje të rënduar emocionale pasi pak ditësh i ka ndërruar jetë nëna nga një sëmundje e rëndë.

Andrea: Unë jam mirë tani. Kisha pirë unë dhe nuk mbaja mend asgjë. Kisha pirë shumë alkool dhe nja dy cigare hashash. Kur shkova në shtëpi, kam rënë nga shkallët.

Ku e gjetët thikën?

Andrea: Në momentin që jam kthyer, kisha ngrënë fruta në shtëpi dhe ndoshta e kam harruar padashje tek divani dhe kur u shtriva pashë gjak. Kam dalë në rrugë me vrap, fqinjët njoftuan policinë.

Po babai çfarë tha?

Andrea: U shokua. Ta lirojnë babain, mos ta mbajnë brenda atje se nuk ka faj i shkreti. Me trupin tim nuk ka asnjë faj…. Mamaja u sëmur dhe ndërroi jetë.

Sa kohë ka?

Andrea: Në datën 8 mars. Kam dhimbje shumë të madhe. Më dhemb shpirti që nuk e kam, nuk jetoj dot asnjë sekond pa të, e kam pasur gjithmonë pranë.