“Brenda vitit rikthyem para me vlerë 24 mln dollarë” Vendi ku nuk humbet asgjë

 “Brenda vitit rikthyem para me vlerë 24 mln dollarë” Vendi ku nuk humbet asgjë

Ashtu si në shumë vende tjera edhe këtu humbin çdo vit qindra mijëra sende apo para, por ndryshe nga shumë shtete të tjera, Japonia ka një sistem thuajse perfekt të gjetjes e rikthimit të sendeve të humbura. Nëse ndodh që të humbësh celularin apo portofolin në Japoni, gjasat më të mëdha janë që t’i rigjesh dhe jo e kundërta.

Por si ia arrijnë autoritetet?

Kjo godinë është pjesërisht përgjigja.

“Kjo është qendra e sendeve të gjetura e rikthimit të tyre, në Tokio. Këtu mblidhen të gjitha sendet që janë humbur në kryeqytet. Në vitin 2019, patëm një rekord prej 4.15 milionë sendesh të gjetura në rrugë a gjetkë. Aktualisht në qendër kemi ende afro 600 mijë sende. Në Tokio afërsisht 7700 sende të gjetura u rikthehen pronarëve çdo ditë. Në vitin 2019 sasia totale e parave të humbura që ka ardhur tek ne, kapte vlerën e 34 milionë dollarëve. Prej tyre kemi mundur të rikthejmë tek të zotët, afro 24 milionë dollarë në vlerë”-shpjegoi Yukiko Igarashi, drejtuesja e qendrës në fjalë.

Telefonët celularë mbeten objektet që me të humbur, vijnë në këtë qendër e u rikthehen të zotëve më shpejt se çdo send tjetër. Mbi 90% e tyre i rikthehen të zotëve, ndërsa më tutje në radhë vijnë kuletat.

E habitshme është se në Japoni thuajse asgjë që gjendet në rrugë nuk “merret”. Qendra ruan madje edhe çadrat, ndërsa drejtuesja Igarashi shpjegon se ky send është dhe më i vështiri për t’ju rikthyer të zotëve.

Por cili është “sekreti”? Si ia arrijnë autoritetet të rikthejnë thuajse të gjitha sendet e humbura?

Vetë njerëzit i dërgojnë sendet e gjetura në “Koban”, një lloj stacioni policie i cili pret qytetarët dhe mbledh sendet e humbura. Veç kësaj detyre, oficerët e “Koban” kujdesen për një zonë të caktuar, ndihmojnë njerëzit që mund të kenë humbur, që mund të jenë të pirë, presin kritikat apo shqetësimet e qytetarëve e plot detyra tjera me sens komunitar.

“Mesatarisht në ditë ne marrim në dorëzim 7 sende të humbura në ditë në “Koban-in” tonë në Sukiyashi.”-tregon një oficere.

E nëse njerëzit nuk shkojnë në “Koban-in” respektiv për të kërkuar për sendet e tyre të humbura, këto të fundit dërgohen në qendër. Nëse pas tre muajsh asnjë njeri nuk shkon për të tërhequr sendin e tij, atëherë është ai/ajo që e gjeti, ka të drejtën ta tërheqë. Nëse gjetësit nuk duan të marrin atë që nuk është e tyrja, sendi do të shkojë në ankand për t’u shitur.

“Sendi më me vlerë që më është dorëzuar ndonjëherë, ka qenë një zarf. Brenda kishte afro 9 mijë dollarë (1 mln yen)”-tregoi oficerja.

Por përtej sistemit, kryesorja se përse sendet e humbura u rikthehen të zotëve, janë vetë njerëzit e kultura e japonezëve. Prej mëse 1 mijë vitesh, në këtë shtet ka patur një ligj apo rregull, se gjërat e tjetrit duhen rikthyer. Madje edhe në ditët e sotme, fëmijët mësohen me këtë kulturë, që kur gjejnë diçka në tokë, ta rikthejnë, edhe sikur të gjejnë një cent.

Burimi: BBC Reel/ Përktheu e përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info