“Deri tek japonezët i blejnë” Mjeshtri që prodhon e shet vegla muzikore në rrugët e Shkodrës

 “Deri tek japonezët i blejnë” Mjeshtri që prodhon e shet vegla muzikore në rrugët e Shkodrës

E gjen shpesh në tregun e Rusit në Shkodër. Atje ku dëgjohet melodia e çiftelisë e lahutës, me siguri është dora e Rexh Mehmetit, tregtar ambulant e mjeshtër i vjetër i prodhimit të veglave muzikore.

Mehmeti shet në një cep të rrugës çifteli, sharki e lahuta. Thotë se kur turistët, veçanërisht ata të huaj, dëgjojnë tingujt e veglave, bëhen kuriozë.

“Interesi është shtuar. Ka ken në humbje, në degradim dikur… kalojnë bota këtu, turistët, ndalojnë dhe blejnë. Lahuta është kushtrim e vaj… kurse pa tingujt e çiftelisë, nuk ka muzikë e valle shqiptare.

Një japonez, erdhi e mori një çifteli. I thash prit tëta akordoj, por më tha jo jo, munden ta akordoj vetë.”-tregon për Tch, Mehmeti.

Serbia doli e mbrojti si veglën e saj guslën (lahutën) në UNESCO. Rexha thotë se ishte një grabitje, pasi kjo vegël është më e vjetër se vetë kombi serb.

“Ata kur ka dalë lahuta, s’kanë kenë as në Serbi hiç, se 1600 kan që kan ardh, kurse lahuta i ka të paktën 2500 vjet.”