“Dalim dy- tre herë në ditë për emergjenca” Fenomeni shqetësues i zjarreve të qëllimshme

 “Dalim dy- tre herë në ditë për emergjenca” Fenomeni shqetësues i zjarreve të qëllimshme

Një fenomen shqetësues, veçanërisht në stinën e verës. Zjarret e qëllimshme janë kthyer në një problematikë të theksuar në qarkun e Elbasanit, atje ku zjarrfikësit dalin dy ose tre herë në ditë për raste të ndryshme emergjencash.

Shumë zjarrvënie kryhen qëllimisht ose vijnë nga pakujdesia, duke shkaktuar situata emergjente. Shefi i zjarrfikësve në Elbasan shprehet se ka boll raste kur njerëzit i vënë zjarrin barishteve apo kashtës dhe flakët dalin nga kontrolli duke dëmtuar parcela bujqësore.

“Kemi 10 ditë që dalim dy tre herë në ditë. Në zona kodrinore apo djerrina që kanë bar të thatë. Deri tani nuk ka patur dëme, situata është nën kontroll. Ka edhe shkaqe, arsye natyrore apo defekte elektrike… por shumica e zjarreve janë prej pakujdesisë së barinjve apo tjetër. Të mos nxezin zjarre në këtë stinë kaq të nxehtë. Kur pastrojnë barërat apo kashtat duke i djegur, djegin parcelën e vet por edhe të të tjerëve. Kemi patur plot raste kur janë djegur dhe ullishte për shkak të pakujdesisë.”-thotë Tajar Alla në një prononcim për median.

Kujtojmë se në zonën e Malit të Tomorrit një zjarr u përhap me shpejtësi në bimësi e pemë. Sipas ekspertëve dhe strukturave përgjegjëse atje, zjarri nuk ka ardhur nga shkaqe natyrore, por me gjasë nga pakujdesia. Dy persona janë arrestuar ditën e djeshme, ndërsa si pasojë e terrenit të vështirë dhe erës, janë djegur mbi 20 hektarë pyll. Zjarri qëndron për mëse 5 ditësh aktiv.