“Dëgjova britmat e të ëmës” 39 vjeçari i merr jetën xhaxhait e vetes, e afërmja tregon çfarë ndodhi

 “Dëgjova britmat e të ëmës” 39 vjeçari i merr jetën xhaxhait e vetes, e afërmja tregon çfarë ndodhi

Një krim në familje ka ndodhur këtë mbrëmje në fshatin Mekat të Vlorës. Një 39 vjeçar ka qëlluar për vdekje me armë gjahu xhaxhain e tij 64 vjeçar, J.Koreta.

Dyshohet se një konflikt i momentit ka sjellë ngjarjen tragjike. Pas krimit e në kushte të rënduara psikike, 36 vjeçari i ka marrë jetën vetes me armën e gjahut.

“Në fshatin Mekat, Vlorë, dyshohet se shtetasi G. K, ka vrarë me armë gjahu në banesë xhaxhain e tij, shtetasin J. K,  dhe më pas ka vrarë veten. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.

Një e afërme e familjes tregoi për median se ka dëgjuar ulërimat e nënës së autorit.

“Kushërinj jemi, një fis. Dëgjuam ulërimat që po qante e ëma. Nuk kanë pasur konflikte. Ai ka qenë djalë…nuk e di çfarë të them. Ka qenë emigrant. Nuk di gjë për çfarë kanë debatuar. Dëgjova të ëmën që po qante dhe erdha. Ai ishte djali me të gjitha cilësitë, nuk ke çfarë t’i thuash. Ndërsa xhaxhai rri në Vlorë me shtëpi. Ai skuqej kur të fliste me gojë jo më të kishte debate. Nuk kanë pasur debate për çështje pronash. Ai një copë toke pronë ka sepse ai jeton në Vlorë. Nuk e di pse kishte ardhur këtu. Nuk dimë asgjë për armën. Ne dëgjuam ulërimat e të ëmës dhe erdhëm”,-tha e afërmja.