Dëshmia e një 12 vjeçari për një ndër kampet më famëkeqe të regjimit komunist

 Dëshmia e një 12 vjeçari për një ndër kampet më famëkeqe të regjimit komunist

Kampi i internimit në Tepelenë. Një ndër më famëkeqët në historinë e regjimit dhe vendi ku humbën jetën dhjetëra fëmijë.

Kjo është dëshmia e një 12 vjeçari, i cili u la i lirë nga kampi dhe mundi të arratisej jashtë kufinjve të Shqipërisë komuniste për të treguar detaje të asaj që ndodhte. Dëshmia u u vu në dispozicion në gazetën e kohës ‘Borba’ (Beograd) dhe më tutje u përdor në raportin e qeverisë amerikane në OKB, më 1955.

12 vjeçari quhej Gjon Pjetri dhe vinte nga Oroshi i Mirdisës. Në ’51 ai dhe e gjithë familja u internuan në kampin e Tepelenës.

“Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë. Gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp, shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, njoftoi fëmija”.-thuhej në raport.

“Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmit e prindërit të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për t’u kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet, që nuk mund të bënte diçka për atë”.-shkruhet më tutje.

Dokument i publikuar nga Kujto.al

12 vjeçari u lirua së bashku me të vëllanë e tij 8 vjeçar. Fati e kishte ndihmuar dhe më 13 gusht të vitit 1951, ai kishte kaluar kufirin. Arsyeja e lirimit të dy të miturve ishte sepse ata ishin të paaftë (fizikisht) për të punuar. Anëtarët e tjerë të familjes qëndruan në kamp. Në dëshminë e tij Gjoni tregon dhe përhapjen e shpejtë të sëmundjeve, për shkak të kushteve të dobëta higjenike.

“Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga turbekulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera”.