“Djali im shpëtoi për mrekulli” Vogëlushi shqiptar operohet në barkun e nënës

 “Djali im shpëtoi për mrekulli” Vogëlushi shqiptar operohet në barkun e nënës

Një mrekulli e mjekësisë, një operim me rrezik tepër të lartë, por që në fund arriti t’i shpëtojë jetën një vogëlushi i cili ende nuk kishte ardhur në këtë botë.

Kështu ka ndodhur me një familje shqiptare e cila jeton në Bolonja të Italisë. Media fqinje njoftoi për rastin e Emanuelës, një gruaje shtatzënë, ndërsa jeta e të birit rrezikohej seriozisht për shkak të një komplikacioni.

Emanuela ishte 7 muajshe shtatzënë, ndërsa i biri shfaqi një problem në zemër. Mjekët kanë ndërhyrë përmes një age dhe kanë sistemuar në zemrën e foshnjes ende të palindur, një kateter e një tullumbace më të vogël se 3 milimetra.

“Foshnja kishte në anën e majtë të zemrës një zgjerim për shkak të stenosës aortike, një problem që sillte funksionimin jo të mirë të zemrës”-tregoi mjeku Andrea Donti, drejtues i departamentit kardiologjik- pedriatik.

E pikërisht prej këtij problemi, foshnja rrezikonte të humbte jetën. Mjekët ndërhynë me sukses në një operim tepër të komplikuar.

“Kur më morën në telefon për të më thënë për operimin, natën e kalova duke qarë”-kujton Emanuela, siç përcjell media italiane.

“Në këtë pikë nuk mund të tërhiqeshim, nëse nuk do të jepnim konsentin për operimin, do na mbetej në ndërgjegje për gjithë jetën. Por të qëndruarit për 3 orë prapa derës së sallës së operimit, ka qenë shumë e vështirë. Kur mësova se gjithçka kishte shkuar mirë, mu mbushën sytë me lot”-tregoi Antioni, i shoqi i Emanuelës.

Pas lindjes, vogëlushi iu nënshtrua një tjetër ndërhyrje dhe gjithçka shkoi mirë. Sot vogëlushi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe në krahët e prindërve.