“Duam luftë!” Incidente e provokime, çfarë ndodh në kufirin Kosovë- Serbi 7 ditë pas bllokadës

 “Duam luftë!” Incidente e provokime, çfarë ndodh në kufirin Kosovë- Serbi 7 ditë pas bllokadës

Kjo e dielë shënon ditën e 7 të bllokadës nga ana e palës serbe, të kufirit në Jarinjë e Bërnjak, ndërsa në orët e mëngjesit dy avionë serbë janë parë duke fluturuar në afërsi të kufirit.

Pas dy incidenteve në Zubin Potok e Zveçan (shiko më poshtë), duket se këtë të dielë situata është paraqitur e qetë.

Njësitë speciale të policisë së Kosovës patrullojnë pikat kufitare të bllokuara nga protestuesit serbë, ndërsa qeveria e Serbisë nuk ka pranuar reciprocitetin në vendosjen e targave të përkohshme.

Lexo edhe: Çfarë po ndodh në kufirin Kosovë- Serbi, pamjet me dron 1 ditë pas vendosjes së reciprocitetit me targat

Incidentet në Zubin Potok e Zveçan

Ditën e djeshme, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur. Autoritetet në Kosovë, u shprehën se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ja çfarë shkroi Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla.

Po dje u sulmua dhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. U hodhën dy bomba dore, por asnjëra prej tyre nuk shpërtheu.

“Duam luftë” Shtimi i barrikadave dhe provokime në drejtim të policisë së Kosovës

Të premten, protestues serbë shtuan një barrikadë të tretë, në fillim të urës së fundit mbi liqenin e Ujmanit, rrugë e cila të shpie drejt kufirit në Bërnjak. Kjo bëri që në ndërrimin e turneve, forcat e Kosovës të detyrohen të ecin drejt kufirit.

Ndërkohë në kufirin në Jarinjë, në orët e mbrëmjes së djeshme dhe gjatë ndërrimit të turneve, disa oficerë të forcave të Kosovës janë provokuar nga protestuesit serbë. Në median e Kosovës u publikua një video, teksa protestuesit i drejtoheshin forcave të Kosovës duke thënë “duam luftë”.

Kryeministri Kurti takoi sot disa përfaqësues të opozitës

Kreu i qeverisë së Kosovës është takuar këtë të dielë me disa nga liderët e opozitës.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, pas takimit të palëve.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që qeveria e Kosovës të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë (BE e SHBA).

“Mig-ët” serbë pranë Jarinjës

Këtë paradite (e diel) në hapësirën ajrore pranë kufirit të Jarinjës, janë pikasur dy avionë luftarakë të Serbisë, të cilët patrullonin ajrin. Pamjet janë kapur e përcjellë nga media e Kosovës. Të njëjtët avionë janë parë edhe gjatë ditës së djeshme.

Kujtojmë se të hënën që lamë pas, qeveria e Kosovës vendosi regjimin e ri të qarkullimit të automjeteve me targa serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Me fjalë të tjera, automjetet me targa serbe të cilat hyjnë në Kosovë, do të duhet të heqin targat e tyre për të vendosur targa (të përkohshme) të Kosovës, një akt të cilin Serbia e aplikon prej vitesh në adresë të shtetasve të Kosovës, që kalojnë në territorin e tyre.