Duke lexuar në koshin e plehrave! Foto bëhet virale dhe i ndryshon jetën 10 vjeçarit

 Duke lexuar në koshin e plehrave! Foto bëhet virale dhe i ndryshon jetën 10 vjeçarit

Një fëmijë, me këmbët zhytur në thasët e mbeturinave të një koshi plehrash. Ulur aty, duke lexuar me kuriozitet një libër që ka gjetur në plehra.

Fotoja e këtij 10 vjeçari, e shkrepur në Liban nga një arkitekt që po kalonte aty pranë, u bë menjëherë virale në rrjet. Siç raportoi media lokale, vogëlushi ishte me origjinë nga Siria dhe kishte mbërritur në Liban me familjen për t’i shpëtuar luftës e krizës që pasoi më tutje në vendin e tij të lindjes.

Vogëlushi u detyrua ta linte shkollën. Për të ndihmuar familjen, ai shkonte nëpër koshat e plehrave për të mbledhur plastikë e sende tjera. E mesa duket, gjatë kërkimit në një prej koshave, ai ka gjetur librin… i është kujtuar koha kur ishte në shkollë dhe për disa minuta ka lënë punën për të lexuar.

Personi që e fotografoi iu afrua dhe e pyeti vogëlushin. Ky i fundit i tregoi se ndihmonte familjen dhe 4 vëllezërit e tij, të cilët jetonin në kushte të vështira ekonomike. 10 vjeçari shpjegoi se i pëlqente të lexonte librat dhe se i vinte keq që librin, e kishte gjetur në mbeturina

Kjo foto prekëse e rrëfimi i personit që shkrepi foton e vogëlushit, tërhoqi vëmendjen e njerëzve dhe fondacioneve. Këta të fundit kontaktuan me vogëlushin e familjen e tij, për t’i dhënë lajmin se 10 vjeçarin do ta largojnë nga mbeturinat e do ta dërgojnë në shkollë. Dhjetëra mijëra persona po ashtu janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë 10 vjeçarin e familjen e tij.