“Dy djem e një vajzë më vdiqën” Vuajtjet e jashtëzakonshme të një nëne fatkeqe

 “Dy djem e një vajzë më vdiqën” Vuajtjet e jashtëzakonshme të një nëne fatkeqe

Që prej muajit shkurt, këtë grua e gjen duke qarë. Jo vetëm për atë që i ndodhi pak muaj më parë, por për të gjitha ato fatkeqësi që jeta i ka përplasur në shpirt.

Kjo grua sot nuk mban dot më lodhjet e së shkuarës, të mbledhura me ato të së tashmes.

Quhet Fiqirete Zeneli dhe është 61 vjeçare. Tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se nga martesa e saj lindi 5 fëmijë. Vetëm dy vajza, janë sot gjallë. Tre fëmijë i humbi në lindje, humbjet të cilat nuk harrohen, përkundrazi.

“Unë jam Fiqirete Zeneli nga komuna Fier-Shegan e Lushnjës. Kam vetëm dy vajza. Më kanë vdekur një vajzë dhe dy djem. Fëmija i parë ishtë një djalë, ndërsa e dyta një vajzë… Vajza e vogël që kam, ishte binjake me një djalë… djali vdiq, kurse çupa rroi”-tregon Fiqiretja.

Por vuajtjet për këtë grua nuk mbarojnë me kaq. Jeta e saj ka shkelur vetëm në dhimbje.

“Ato dy vajza që kam, i kam rritur në varfëri. Rrobat e tyre mi falnin se nuk kisha. Me nota të mira dolën, por nuk kisha para t’i çoja në shkollë të lartë. U detyrova t’i martoj të reja. Vajza e madhe jeton keq, as shtëpi nuk ka. Punon, në mal… “-shton Fiqiretja.

Në muajin shkurt, puna dhe mundi 30 vjeçar, po ashtu i iku brenda pak minutave. Shtëpia e Fiqiretes dhe Velit, të shoqit, ra përtokë nga zjarri. Mbetën pa asgjë, veçse një grumbull kujtimesh të hidhura, që duket se hiri i shtëpisë së tyre i ka ringritur sërish në ajër… aqsa edhe frymëmarrja e kësaj nëne, është bërë e vështirë.

“Çe dua unë më jetën time, çe dua të rroj kështu? Më mirë të mbytem, më mirë të isha djegur me zjarrin.”-thotë 61 vjeçarja, ndërsa lotët shkojnë në fytyrën e saj.