E pajetë në shtëpi për 2 vite e gjysëm, historia e trishtë e një 61 vjeçareje

 E pajetë në shtëpi për 2 vite e gjysëm, historia e trishtë e një 61 vjeçareje

Sheila ishte 61 vjeçe dhe jetonte e vetme në një godinë me apartamente.

“Ajo ishte përherë e veshur mirë, me rroba të zeza dhe me flokët e lidhura… por në të vërtetë ne nuk flisnim, vetëm një çkemi ose mirupafshim”-kujton një grua në moshë të re, e cila jetonte paralel me apartamentin e 61 vjeçares.

Në të njëjtin korridor me apartamente jetonte dhe një grua tjetër, nënë e tre fëmijëve, e cila kujton ta ketë parë veshur 61 vjeçaren me rroba sportive gjatë fundjavave, duke menduar kësisoj se ajo kishte një jetë aktive.

Askush në këtë zonë nuk kujton se kur e kishin parë për herë të fundit duke pritur autobusin apo ta kishin vënë re duke hyrë në godinë me ushqime me vete.

Në fundin e verës së vitit 2019, 61 vjeçarja u zhduk. Për arsye që patologët vijojnë ende t’i hetojnë, tashmë dihet që ajo gjeti vdekjen, e vetme, në apartamentin e saj.

Qëndroi atje, habitshëm e pabesueshëm për plot 2 vite e gjysëm, derisa në 18 shkurt të këtij viti, policia theu derën për të gjetur mbetjet e saj në dhomën e ndenjes.

Në tetor të vitit 2020 pati një lajmërim por autoritetet nuk shkuan, derisa stuhia Eunice e këtij viti erdhi në Londër. Dera e ballkonit në shtëpinë e 61 vjeçares ishte e hapur gjatë stuhisë.

Gjetja e një gruaje në moshë, e vdekur dhe e lënë në tokë për dy vite e gjysëm, në shumë media atje u konsiderua si shembulli më i pastër i jetës së depersonalizuar të kohëve moderne, i modelit “kthe kokën në anën tjetër”, veçanërisht për njerëzit që jetojnë veçse një derë larg teje.

E habitshme sesi mund të ndodhte diçka e tillë, në një kohë kur kamerat e sigurisë të vendosura kudo dhe rrjetet sociale, dominojnë jetët e njerëzve.

I vetmi i afërt që 61 vjeçarja kishte patur në Angli, ishte vëllai i saj, me të cilin prej kohësh ajo nuk kishte kontakte. Ky i fundit ishte dënuar për vrasje 41 vite më parë, një arsye se përse kishte zgjedhur të qëndronte në hije.

Kontakti tjetër më i afërt ishte motra e saj (nga ana e nënës) që jetonte në Afrikën e Jugut. Të dy motrat kishin nisur të flisnin pas vdekjes së nënës së tyre.

“Ajo që ndodhi ishte shumë e rëndë. Nuk e kuptoj ende sesi njerëzit kanë kaluar pa vënë re gjë. Ku ishin fqinjët, kolegët e punës, njerëzit nga bashkia, qiradhënësi…? Kjo nuk do të ndodhte kurrë këtu. Kur nuk e shohim fqinjin për dy apo më shumë ditë, ne shkojmë të shohim sesi janë, jetojmë si një komunitet”-tregoi e moshuara për Daily Mail.

E habitshme është sesi askush në katin e katërt nuk ka kuptuar që era e rëndë vinte pikërisht nga një trup i pajetë, të paktën përgjatë vjeshtës së 2019 e deri në dimër.

Një tjetër aspekt, fakti se gruaja jetonte me qira. Vetëm 6 muaj pas vdekjes së saj kishin nisur veprimet ligjore dhe 61 vjeçarja ishte thirrur në gjykatë. Por duket se paratë më tutje ishin paguar përmes një mekanizmi tjetër dhe qiradhënësi nuk kishte shkuar fare për të parë se çfarë ndodhte në godinë.

Për faturat e dritave e gazit, punonjësit kishin shkuar më shumë se 6 muaj (pas vdekjes së 61 vjeçares). Kishin trokitur, e duke mos dëgjuar asnjë përgjigje, kishin lënë letra në derë për të paralajmëruar se në prill (2020) do të hynin me forcë në shtëpi për pagesën… “sikur vetëm ky paralajmërim të ishte zbatuar”- vë në dukje artikulli i Daily Mail.

Burimi: Daily Mail/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info