Lindi dy fëmijë, por rriti 30 të tjerë… gruaja që u kujdes për fëmijët e braktisur

 Lindi dy fëmijë, por rriti 30 të tjerë… gruaja që u kujdes për fëmijët e braktisur

Mejreme Kadria lindi dy fëmijë, por përgjatë dy dekadave të fundit, ajo është bërë strehë e nënë për të paktën 30 fëmijë të tjerë. Fëmijët të braktisur apo në nevojë, Mejremja është bërë nëna e këtyre nevojtarëve.

Familja e kësaj gruaje, nga Dobreshi i Vitisë, prej afro 20 vitesh i ka hapur dyert e shtëpisë e zemrës për t’u përkujdesur për fëmijët, madje edhe pa asnjë ndihmë nga shteti.

“Që 18 vite jemi familje strehuese, i kam rritur 30 fëmijë. Shteti nuk na jep asnjë cent, por unë nuk i qes fëmijët në sokak, kam me i kqyr si të mitë...”-thotë Mejremja në një intervistë për klankosova.

Megjithatë, ka plot raste kur Mejremes i duhet ndihma patjetër nga organet kompetente. Aktualisht një nga dy fëmijët për të cilët ajo po kujdeset momentalisht, është me terapi qetësimi. Mejremja kërkoi ndihmë nga komuna për ndërtimin e një kopshti në oborr, me qëllim që fëmijët të luajnë atje.

Pavarësisht kërkesës, komuna ka vendosur t’i dalë në krah Mejremes për trajtimin falas të të miturit që ka nevojë trajtim mjekësor. Drejtoresha e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Merrushe Ahmeti, i tha Klan Kosovës se ka arritur marrëveshje me një pediatër që do t’i kryej shërbimet falas për këta fëmijë, e në bisedime është edhe me një farmacist.

Mejremja kujdeset aktualisht për dy fëmijë (djem), përkatësisht 13 e 2 vjeç.