Ngjarja tragjike në SHBA, një 15 vjeçare shqiptare humb jetën në aksident

 Ngjarja tragjike në SHBA, një 15 vjeçare shqiptare humb jetën në aksident

Prej pak kohësh kishte ardhur në SHBA, për një jetë të re plot ëndrra e shpresë. Kishte filluar gjimnazin, por papritur të shtunën, jeta e saj do të këputej në mes nga një aksident tragjik.

Media amerikane  publikoi lajmin e trishtë, se një 15 vjeçare nga Shqipëria ndërroi jetë në një qytet të Karolinës së Veriut, teksa po kalonte rrugën.

Aksidenti ndodhi të shtunën pasdite në Nags Head, ndërsa media amerikane publikoi të dhëna të hënën. 15 vjeçarja u identifikua si Ersi Shabanaj.

Një makinë e cila po drejtohej nga një 65 vjeçar e goditi 15 vjeçaren që po tentonte të kalonte rrugën.

Në vendin e ngjarjes rastisën tre punonjës të urgjencës, të cilët menjëherë shkuan të përkujdesen për 15 vjeçaren. Pas kryerjes së reanimimit kardiopulmonar (CPR), mjekët e urgjencës arritën të risjellin pulsin e saj. Fatkeqësisht Ersi ndërroi jetë orë më vonë në spital, për shkak të plagëve të marra nga përplasja.

Kryeinspektori i shkollave të zonës Xhon Farellej, tregoi se vajza kishte ardhur prej pak kohësh në SHBA.

“Ju lutem, mbajeni Ersin dhe familjen e saj në mendimet e lutjet tuaja”-u shpreh kryeinspektori në një deklaratë për shtyp, siç raportoi media amerikane.

Zyrtarët që hetuan ngjarjen u shprehën se drejtuesi i automjetit nuk po ecte me shpejtësi (tej normave) apo se ishte nën efektin e alkoolit. Gjithsesi, hetimet vijojnë ende.

Për të ndihmuar prindërit e të ndjerës të cilët sakrifikuan gjithçka për të ardhmen e vajzës së tyre, u hap një faqe në GoFundme.