Historia frymëzuese e një shkrimtareje me aftësi të kufizuara… dhe sakrifica e babait

 Historia frymëzuese e një shkrimtareje me aftësi të kufizuara… dhe sakrifica e babait

Vetëm kur ishte një vjeçe, një sëmundje e rëndë e paralizoi. Sot Elma është 44 vjeç dhe prej dekadash qëndron e ulur në një karrige me rrota dhe ka vështirësi në të folur.

Flet me vështirësi, ama ato që s’mund t’i shprehë me zë, Elma i përcjell në shkrim. Deri më sot, ajo ka arritur të botojë deri 14 libra.

Gjithnjë në krah ka patur familjen, e veçanërisht të atin, Hamitin. Ky baba ka bërë gjithçka, që e bija të arsimohet dhe të kulturohet.

“Si pasojë e një sëmundje të rëndë nuk mundi të lëvizë më. Në nëntor bën 44 vjet që nuk lëviz më me këmbët e veta. Fatin më të madh ka pasur, se unë punoj mësues dhe e dërgova në shkollë, 12 vjet në 8 vjeçare dhe gjimnaz. Fati i madh ishte se një ish-mësuese e letërsisë, Ëngjëllushe Kaloshi e përkrahu shumë dhe i tha: Elma duhet të mbahesh fort pas gjuhës dhe letërsisë se rrugë tjetër nuk ke,” tregon në intervistë për abcnews, babai i Elmës.

E përveçse arsimimit, Hamiti është munduar t’i plotësojë ëndrrat të bijës, duke ia botuar me shpenzimet e tij plot 14 libra, njëri prej të cilëve në gjuhën italiane.

“Që në klasën e 6 filloi të botojë poezitë e para. Në vitin e tretë botoi librin e parë. Të gjitha librat janë botuar me ekonominë tonë. Elma nuk e ndjen peshën e fatit, sepse jeton jetën mirë. Çdo ditë punon! Po ju them një sekret Elma, punon me një gisht dhe punon në laptop. Ka në dorë një libër shkencor nga ana gjuhësore.

Më kërkoi të mësonte gjuhën italiane dhe e mësoi për 6 muaj. E këtë libër e ka botuar në italisht në 2012. 44 vjeçarja ka bashkëpunuar dhe me një pedagoge të universitetit. Ka punuar një libër me ese me pedagogen e gjuhë-letërsisë, Gentiana Nishica.”-tregon Hamiti.

Përveçse të shkruarit, Elma është një lexuese besnike. Siç tregon Hamiti, nuk ka shkrimtar shqiptar që ajo të mos ketë lexuar.

“S’ka shkrimtar apo letërsi të gjuhës shqipe të mos e ketë lexuar. Po të shkoj në bibliotekën e Krujës s’ka libër të mos e ketë lexuar. Kam shfrytëzuar bibliotekat e shkollave dhe të shokëve të mi. I kam krijuar dhe një bibliotekë në shtëpi. Kërkon çdo ditë libra të rinj.”-tregon Hamiti.