23 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës, rrëfimet e të mbijetuarve

 23 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës, rrëfimet e të mbijetuarve

Ishte 13 marsi i vitit 1999 (e shtunë) kur një shpërthim i fortë goditi tregun e gjelbërt në Mitrovicë. Tregu ishte i mbushur me njerëz që kishin dalë për të blerë ushqime.

Si pasojë e shpërthimit, 7 persona ndërruan jetë, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur. Në mesin e viktimave ishte dhe një vajzë 5 vjeçe. Shumë prej të plagosurve atë ditë humbën gjymtyrët duke e kaluar jetën të paralizuar.

Artikull i percjelle nga BBC me 14 mars te vitit 1999

Sulmi dukej i organizuar tinëzisht nga serbët, pasi ndodhte pak para se palët të shkonin në Francë për vijimin e bisedimeve për paqe e ndalimin e luftës në veri të Kosovës.

Tre vite pas ngjarjes, media e kohës në Mitrovicë mori intervista të disa prej personave që humbën familjarë apo mbetën në karrige me rrota si pasojë e shpërthimit. Më poshtë po sjellim rrëfimin e disa grave, të pyetura në 13 mars 2002 nga ‘Mitrovica1’.

 “Pak mund t’ju tregoj, veç kur e kam pa veten pa këmbë. Kam qenë me tri çikat e kunatit, me burrin e djalin. Pa këmbë mbeti dhe çika e kunatit”-deklaronte njëra prej grave e cila mbeti e paralizuar, në një intervistë të dhënë më vitin 2002.

“Motra ime ka vdekur, mund t’ju përshkruaj ngjarjen, veçse jam pak e emocionuar…motra, xhaxhai e gruaja e tij kanë dalë për nevoja të shtëpisë. Siç më kanë treguar, sepse këtu nuk kam qenë. Pas një kohe të shkurtër, më erdhi lajmi. Motra e madhe ka mbet pa këmbë e pa disa gishtërinj, axha ka vdek e shoqja humbi këmbët. Motra tjetër ka vdekur…terroristët serbë na e bënë këtë. Në spital kishte serbë e nuk më linin të shihja të plagosurit. Axha ishte ende gjallë atje në spital…”-tregoi një grua tjetër.

“Unë kam qenë me nënën, dorë për dore. Ka ra bomba…Kur u çova prej toke, gjak pashë krejt, siç e dini dhe vetë qysh ndodhi…”-tha një tjetër grua.

Për të parë pamjet e regjistruara si sot 23 vite më parë, klikoni këtu