“Është gjendje alarmante” Dhuna në familje u shtua gjatë 2021, pavarësisht ashpërsimit të ligjit

 “Është gjendje alarmante” Dhuna në familje u shtua gjatë 2021, pavarësisht ashpërsimit të ligjit

Dhuna në familje mbetet një ndër plagët më të rënda në Shqipëri. Viti 2021 shënoi një shtim të dukshëm të rasteve, veçanërisht në dhunën ndaj grave. Në shumë raste dhuna ka kapur ekstremin e marrjes së jetëve të grave në vend.

Krahasuar me një vit më parë, numri i rasteve të dhunës në familje ka njohur rritje. Një tjetër fenomen shqetësues mbetet numri i personave që janë përsëritës të veprës penale.

“Për këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, kemi të kallëzuar të cilët janë përsëritës për këtë vepër penale të dhunës në familje. Është një gjendje shumë alarmante dhe strukturat shtetërore duhet të vihen në lëvizje dhe të gjejnë një zgjidhje. Mund të them që rastet janë shtuar, një nga arsyet mund të jetë pandemia ose arsyet ekonomike në familje.

Një problem tjetër është se këta persona nuk rehabilitohen. Ata pasi dalin nga dënimi janë të shkatërruar dhe janë të prirur që të kryejnë vepra të tjera penale.”-tregoi avokati Alban Duro, në prononcim për Tv Ora.

Dhuna ndaj gruas apo e të miturve mbeten dy format më të shpeshta të dhunës në familjet shqiptare. Nga janari deri në shtator, janë konstatuar nga policia të paktën 3560 raste të dhunës në familje.

Një tjetër shifër që është më e lartë krahasuar me dy vitet e mëparshme (2019-2020) është numri i lëshuar i udhrave të mbrojtjes (614 urdhra në harkun kohor Janar- Shtator). E njëjta situatë paraqitet edhe me kërkesat për divorcet(veçanërisht në Tiranë), ku përgjatë periudhës janar- shtator ka patur afro 1130 kërkesa, një shifër kjo më e lartë krahasuar me dy vitet e shkuara.