Gjithçka për nënën! Rrëfimi i gruas që i la prapa të gjitha për t’u kujdesur për mamanë e moshuar

 Gjithçka për nënën! Rrëfimi i gruas që i la prapa të gjitha për t’u kujdesur për mamanë e moshuar

Viti 2019. Nadia ishte 36 vjeçe dhe karriera e saj ecte përpara në një kompani të madhe. Ajo organizonte evente dhe takime me persona të rëndësishëm. Jetonte me të fejuarin e saj dhe gjithçka shkonte mirë.

Derisa shëndeti i nënës së saj nisi të përkeqësohej ndjeshëm. Pak kohë më vonë, e moshuara pësoi një atak kardiak, ndërsa disa muaj më vonë, një goditje në tru.

Nëna e Nadias mori dëmtime në memorje, aftësinë për të lëvizur lirshëm dhe në të folur. E pikëlluar për shëndetin e të ëmës, 36 vjeçarja mori një vendim që do t’ja ndryshonte jetën përgjithmonë. La pas punën dhe erdhi të jetojë në shtëpi me nënën, në mënyrë që të kujdesej 24 orë në 24 për të. Siç rrëfeu ajo (mars 2022), ideja për t’i dërguar nënës një kujdestar apo infermiere kurrë nuk i kishte pëlqyer.

“Nuk e di nëse do të kem më një karrierë. Unë energjitë e mia i çoj tek nëna, që ajo t’i ketë të gjitha ato që duhen… e në realitet, nuk e di për sa kohë do ta kem mamin gjallë. E ndihmoj nënën për të gjitha. Shpesh më pyesnin njerëzit, pse nuk merr një kujdestar për mamin…por unë nuk arrij ta konceptoj sesi mund ta lë mamanë në dorën e një të panjohuri përgjatë gjithë ditës, nuk e bëj dot.”-tregoi 38 vjeçarja.

Por duket se kjo sakrificë e madhe, po i kushton ndjeshëm dhe Nadias, e cila tregon se vetmia dhe ndjenja e depresionit e përshkruajnë shpesh jetën e saj.

“Problemi kryesor i imi? Vetmia është pjesa më e vështirë. Nuk gjen kohë për veten dhe fillon të humbesh. Mund të jesh në një dhomë me shumë njerëz, por fillon të ndihesh e vetme. Kur kujdesesh për një familjar të moshuar, fillon të mendosh… edhe sa kohë do ta kem në jetën time? Realiteti është se nuk mund ta dish, ndaj motoja ime është, ta jetoj jetën (me nënën) nga dita në ditë.”-tregon Nadia.

Një tjetër aspekt që e vret emocionalisht Nadian është fakti se përveçse punës, ajo ka ‘ngrirë’ dhe planet e saj për martesë. Ndihet tejet e keqardhur për të fejuarin, i cili i ka qëndruar në krah për vendimin për t’u kujdesur për mamanë.

“Unë dua ta bëj vetë dasmën time. Kam miq që janë martuar, që kanë fëmijë, që kanë blerë shtëpinë e tyre. Në dy vite unë do të bëj 40 vjeç, e nuk kam asnjë nga këto të mësipërmet. Ndihem shumë në faj që nuk jam prezente sa duhet për partnerin tim, nuk më duket e drejtë që t’i kërkoj atij kaq shumë.”-tregon Nadia.

Por mbase momenti më i dhimbshëm (shiko videon poshtë), është kur nëna e 38 vjeçares nis të qajë, e vetëdijshme se problemet e saj shëndetësore po dëmtojnë jetën e të bijës.

“Edhe për sa kohë do të jem kështu?”-e pyet nëna të bijën, ndërsa më pas nis të përlotet

Dua të bëhem mirë… Po të sjell ty vuajtje”-thotë e moshuara, ndërsa e bija e përqafon, i thotë të mos mërzitet, “Mami mos u mërzit, unë të dua shumë”.

Kjo nuk është hera e parë që Nadia kujdeset për një familjar. Për vite me radhë, motra e saj ishte nën kujdesin e Nadias e nënës. Prej vitit 2020 motra e Nadias ndodhet në një institut të shëndetit mendor, për shkak të paaftësisë së saj për të kontrolluar emocionet.

Vetë Nadia pranon se përkujdesja për të motrën e më tutje nënën e kanë dëmtuar ndjeshëm. Ajo tregon se prej kohësh vuan nga depresioni dhe mundohet të qëndrojë e fortë.

Katër muaj kaluan nga momenti kur CNA insider përcolli dokumentarin mbi jetën e sakrificën e kësaj gruaje. Tashmë nëna e Nadias është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa ajo ka vendosur që të marrë të motrën e sëmurë në shtëpi dhe të kërkojë ndihmën e vëllait për të qëndruar të fortë për kohën e mbetur që nëna ka për të jetuar.