Gjykata e Tiranës jep sentencën për ish- gardistin që i mori jetën të shoqes

 Gjykata e Tiranës jep sentencën për ish- gardistin që i mori jetën të shoqes

Një konflikt xhelozie ishte shkaku që Alket Arapaj të merrte armën e shërbimit dhe të qëllonte për vdekje me tre plumba të shoqen.

E. Seferaj, 36 vjeçe, do të humbte jetën në vend në shtëpinë e çiftit në Allias të Tiranës. Prej 20 vitesh punonjës i Gardës së Republikës, Alket Arapaj nuk do të lëvizte nga banesa atë ditë shkurti të vitit 2019. Policia e prangosi Arapajn atje, teksa 44 vjeçari nuk bëri rezistencë.

Një ditë më pas, në ambientet e drejtorisë së policisë dhe në kushte të rënduara psikike, ai do të tentonte t’i jepte fund vetes, një orvatje që u parandalua.

Dy vite kanë kaluar tashmë dhe gjykata e Tiranës ka dhënë verdiktin final për fatin e ish- gardistit. Arapaj është dënuar me 35 vite burgim.

Autori e viktima kishin një vajzë të mitur, e vetmja për të cilën Arapaj shprehur pendesë e keqardhje pas krimit të rëndë.