Gjykata lë në burg 17 vjeçarin që “mori gjakun”! Çfarë deklaroi avokati mbrojtës i të miturit

 Gjykata lë në burg 17 vjeçarin që “mori gjakun”! Çfarë deklaroi avokati mbrojtës i të miturit

17 vjeçari i cili i mori jetën një 62 vjeçari për të “marrë gjakun” e të atit i vrarë vite më parë, me të gjitha gjasat do ta kalojë rininë në qeli. Gjykata e Lezhës vendosi këtë të enjte masën e paraprake të “arrestit me burg” për adoleshentin, derisa të merret vendimin për vitet e dënimit.

Disa ditë më parë, i riu vrau me armë vëllanë e personit që në vitin 2009 i mori të atin, ndërsa tragjedia e shumëfishua më tutje me ikjen e nënës së tij, pas një akti vetëhelmimi.

Pas krimit, i riu u vetëdorëzua në polici, pranoi çfarë kishte bërë dhe nuk shfaqi pendesë për “marrjen e gjakut”.

Në përfundim të seancës, avokati mbrojtës i të miturit u deklarua para medias:

“Nuk pritej ndonjë vendim tjetër për shkak se është vepër me rrezikshmëri të madhe shoqërore. Por në fakt është rasti i parë që kemi 2 viktima, një është ai që humbi jetën dhe që gjej rastin të ngushëlloj familjarët, por viktima e dytë që për mendimim tim nuk do të jetë e fundit, është dhe autori i veprës penale… sepse nga pak të gjithë jemi fajtorë…

Klienti im është i mitur, është fëmijë ishte mjaft i tronditur, për këtë më besoni. Deklaratën e ka dhënë në polici në prani të psikologut.

Është një ndër ngjarjet më të rënda, që ka vetëm viktima. Do të bëj maksimumin për përfitimet e klientit tim sipas ligjit, por ua siguroj se ky është një problem i madh social. Këtu problemi qëndron tek mungesa e kujdesit që ka qenë për këta persona, që në momentin kur ai fëmijë mbeti jetim që 4 vjeç e deri më sot.”