Historia e trishtë e familjes nga Prishtina: Familjet ia vrau lufta, sot po rrezikojnë të humbasin fëmijët

 Historia e trishtë e familjes nga Prishtina: Familjet ia vrau lufta, sot po rrezikojnë të humbasin fëmijët

Ashtu si shumë familje të Kosovës edhe ajo e familjes Mustafa është një histori e dhimbshme, ku jetët e pafajshme u vranë gjatë luftës.

Historia e tyre lind disa vite më parë, u martuan të rinj dhe të dy burrë e grua janë përndjekur nga trauma dhe tragjedi të vazhdueshme. Hajdinit, 37 vjeçar, lufta i mori nënën dhe dy motrat, ndërsa gruaja Resmia, as që i ka njohur ndonjëherë prindërit e saj. Ajo u rrit nga gjyshja e cila ndërroi jetë në kohën e luftës.

Historia e familjes Mustafa u përcoll nga emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’, në përpjekje për ta ndihmuar sadopak çiftin nga Prishtina, pasi dhimbja e shkaktuar prej luftës është veçse fillimi i problemeve të Hajdinit e Resmies.

Në veçanti Resmia, të cilën e ka prekur një sëmundje e rëndë. Duhet të bëjë çdo ditë injeksione që kushtojnë para. Por shqetësimi i 32 vjeçares është larg vetes, pasi problemet që ka kjo familje kulmojnë me 3 fëmijët, Riadin, Anisën dhe Ambrën disa muajshe.

Me lotë në sy dhe me vështirësi të mëdha qoftë edhe për të lëvizur, kjo nënë tregon se vajza e saj Anisa, veçse 4 vjeç, ende nuk ka folur një fjalë. Me zë të dridhur, Resmia thotë se çohet çdo ditë herët dhe i afrohet të bijës, me shpresën se ajo sot do të flasë.

Resmia: Jeta ime ka qenë tragjedi pas tragjedie. Për mua ka qenë shumë vështirë. Nuk i kam njoft prindërit. Jam rritur tek një familje tjetër, gjyshja më ka rrit më së shumti. Pastaj ndodhi lufta në Kosovë… (qan) gjyshja iku dhe u rrita tek djemtë e xhaxhallarëve. Nuk dua të hyj më në këtë histori, se nuk mundem ta përballoj…

Vajza bëri dy vjet dhe kur shkoi tre vjeç ajo kishte ende problem me të ecurën. Doktori na tha se kishte problem tek shputat e këmbës, por falë Zotit nisi të ecë. Me ec n’rregull, por vajza nuk flet. Nuk di me lyp bukë, me më thënë o mam më jep pak ujë. Duhet ta ushqej sikur është foshnje. Më dhemb shpirti kush e shoh, moshataret e saj flasin e luajnë por vajza ime jo. Shpesh zgjohem herët prej gjumit, me shpresën se vajza do të flasi…

Hajdini, 37 vjeçar, është ai që punon në ndërtimtari dhe mundohet që të ruajë çdo qindarkë. Familja jeton në një bodrum me qira në Prishtinë dhe sa më shumë koha kalon, aq më e vështirë po bëhet. Hajdini thotë se punon por rroga del sa për të paguar qiranë e ilaçet për gruan e sëmurë. 37 vjeçari duket plotësisht i dorëzuar dhe pak fjalë i dalin nga goja.

Hajdini: Prej luftës e këtej se di njëherë, ça me pas diçka të lumtur. Shumë e vështirë është, po ç’ka me bo, kështu ma ka dhën Zoti. Gruaja merr çdo ditë injeksione.

Resmia tregon momentin e rëndë kur mësoi se ishte sëmurë në kohën e shtatzanisë me vajzën e vogël. Doktorët i thanë se për shkak të ilaçeve do duhej të abortonte, por ajo nuk pranoi.

Resmia: E kam zbuluar vonë që isha sëmurë me kancer në kohën kur kam qenë shtatzënë. Si çdo nënë un nuk pranova. Më mirë të vdisja sesa të hiqja foshnjën. Doktori më tha a e merr përsipër vdekjen, por i tha se këtë nuk e kam vendos unë po Zoti. Falë Zotit sot vajza është mirë, pasi ka pas shqetësim se prej ilaçit që kam përdor për sëmundjen, vajza do të lindte e deformuar. Falë Zotit ajo është mirë.

Kjo familje me 4 pjesëtarë prej vitesh jeton me qira nëpër bodrume. Riadi i vogël iu drejtua të gjithë shqiptarëve me një mesazh prekës. 10 vjeç është dhe thotë se familjes së tij i duhet një banesë pasi jetesa është bërë shumë e rëndë me ardhjen e dimrit. Emisioni shqiptarët për shqiptarët po ashtu apeloi për ndihmën e shqiptarëve për familjen nga Prishtina, teksa Elvis Naçi u shpreh se ka besimin se do të arrijnë t’i gjejnë një banesë kësaj familje të vuajtur.