Historia frymëzuese e tenorit shqiptar… pa dritën e syve, por me vullnetin për të ecur përpara

 Historia frymëzuese e tenorit shqiptar… pa dritën e syve, por me vullnetin për të ecur përpara

A e keni menduar ndonjëherë sesi do të ishte jeta juaj, pa dritën e syve, si do të ishte një ditë pa dritën e shikimit…?

Diego Zelka e jeton jetën e tij pa e patur shikimin. Pavarësisht kësaj sprove, ai e ka gjetur ‘dritën’ tek muzika e cila e udhëheq përditë.

“Dëshira për të kënduar ka lindur me mua. E kam kuptuar në moshën 6 vjeçare. Fillimet e mia ishin në piano. Më vonë duke u rritur kuptova që këndimi ishte ajo që unë doja të bëja… Koncerti im i parë ka qenë 6 vjeç. Më pas vazhdova me koncerte tjera. Në fillim kisha shumë emocione, ishin emocione të forta. Por me kalimin e kohës dhe duke e studiuar si profesion mësova si ti menaxhoj“, tregoi Diego gjatë një interviste në TvOra.

I riu studion në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe shpreson të ketë një të ardhme si tenor.

“Momente të vështira ka plot. Është një profesion që kërkon shumë impenjim, shumë studim, kërkon të jetosh me të. Ka patur vështirësi e momente kur kam menduar ta lë këtë profesion… në lice e kam patur këtë mendim, por jo. Tani është më ndryshe, por si mendim ndodh.

Fakti që jam i verbër ka ndikuar për pjesën e mundësive  që janë më të kufizuara dhe pjesën e literaturës që është e kufizuar. Unë duhet të shkruaj atë që më diktojnë. Për ndryshe nuk më ka kufizuar askund”, tha Diego.