Historitë e tre shqiptarëve që humbën jetën 20 vite më parë, në kullat binjake

 Historitë e tre shqiptarëve që humbën jetën 20 vite më parë, në kullat binjake

Si sot 20 vite më parë, kullat e qendrës ndërkombëtare të tregtisë u rrëzuan duke i marrë jetën mijëra njerëzve. Mes viktimave ka patur dhe shqiptarë, tre prej të cilëve po u përcjellim shkurtimisht historitë.

Rrëfimi për jetën e këtyre shqiptarëve është marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, i botuesit Vehbi Bajrami. Më poshtë gjeni një përmbledhje të këtyre rrëfimeve, ndërsa për leximin e plotë, mund të klikoni këtu.

PASTRUESI I DRITAREVE NË KATIN 107-TË

Ky burrë quhej Rrok Camaj, e pastronte prej vitesh dritaret në katet e larta të Kullave Binjake. Shumëkush e quante të “çmendur” për guximin që kërkonte puna, por vetë ai nuk dukej se shqetësohej shumë për lartësitë. Rroku pastronte afro 516 xhama nga 43, 600 xhamat që kishin kullat. Një proces pune që e bënte vetëm ai së bashku me kolegun Jimmy Meehan. Camaj ishte me origjinë nga Sukrugji i Malësisë së Mbishkodrës dhe kishte ardhur herët në SHBA.

Më 11 shtator të vitit 2001, Camaj kishte shkuar si zakonisht në punë. Pasi kulla ku ai po punonte u godit, Camaj mori në telefon të shoqen, Katrinën për t’i thënë:

“Unë jam shëndosh e mirë. Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, të lutem mos i shqetëso fëmijët! “

AMANETI I FUNDIT, TË VARROSEJ NË VENDLINDJE

Prej 29 vitesh, ky burrë kishte punuar në katin e 86 të njërës prej dy kullave binjake. Quhej Mon Gjonbalaj dhe kujdesej për pastrimin e zyrave. Moni ishte me origjinë nga Vuthaj. Në vitin 2001 ai tashmë i kishte 65 vjeç, por kishte preferuar punën në vend të pensionit.

I biri i tij Salihu, tregoi se pas goditjes së parë në njërën prej kullave, i ati kishte telefonuar dhe folur me të vëllanë.

Diçka ka ndodhur këtu. Një bombë ka eksploduar në ndërtesën tjetër, – ishin fjalët e Monit.

– Nuk është bombë, por është aeroplan, – ia ktheu Bekimi (vëllai).

Aeroplan?! – kishte pyetur i habitur Moni dhe kishte shtuar: – Do t’ju telefonoj përsëri.

Në orën 9 e 9 minuta Moni telefonoi sërish në shtëpi.

Kësaj here bisedoi me Albianën, bashkëshorten e Bekimit.

– Gjendem në katin 86. Jemi blokuar të gjithë. Nuk shohim tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe familjen.

Për afro 6 javë familja e kërkoi Monin. Tre djemtë e tij shkonin përditë nëpër spitalet e qytetit me shpresën se do të merrnin një lajm për të. Disa të afërm nga Kosova erdhën për t’ja bërë më të lehtë dhimbjen familjes. Nipi i Monit, Samidi, 11 vjeçar, i tha një ditë xhaxhait të tij (Salihut) se kishte parë një ëndërr.

“E kam parë në ëndërr Bacin (kështu e thërriste nipi Monin). Më tha që t’u them të gjithëve se nuk mundeni të më gjeni dot. Mos të më kërkojnë më. Bacit i shkuan lotët faqeve se e dinte sa vështirë e kishim pa të”, tregoi ëndrrën e tij Samidi.

Pas 6 javësh, familjarët dorëzuan shpresën dhe hapën dyert për ngushëllime.

“Më ka mbetur peng se babai kishte dëshirë të varrosej në Vuthaj, ku edhe kishte lindur. Kur të gjenden eshtrat e tij do t’i çojmë atje. Ky do të jetë një ngushëllim i vogël pas tragjedisë së madhe që përjetuam”-tregoi Salihu.

Mon Gjonbalaj la pas bashkëshorten, tre djem, një vajzë dhe tetë nipa e mbesa.

Një njeri i lumtur, që i bënte të tjerët të lumtur

Simon Dedvukaj punonte si mbikqyrës i punëtorëve të një kompanie pastrimi në katin e 27 në njërës prej kullave (ndërtesa nr.2)

Xhaxhai i tij Deda, tregoi se Simoni ka telefonuar në shtëpi në orën 8:30 të mëngjesit, e që prej asaj kohe, askush nuk dëgjoi më për të.

Eshtrat e tij u gjetën një vit më vonë. Më 21 shtatot të vitit 2002, afro 3500 vetë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të tij. Qindra bashkëatdhetarë kishin ardhur për të përcjellë Simonin.

Kushëriri i tij, Kanto Dushaj nga Detroit-i, tha për median e kohës:

“Dy vjet më parë ne erdhëm këtu për një rast shumë të gëzuar, për martesën e Simonit. Tani, ashtu sikurse edhe një vit më parë, ne jemi këtu për një ngjarje shumë të trishtueshme. Vdekja e Simonit na e coptoi zemrën”.

Vëllai i tij tha se Simoni preferonte më tepër të qëndronte me nipat e mbesat, sesa të dilte e të argëtohej nëpër qytet.

“Ai ishte një djalë shumë i mirë. Lumturia e tij i bënte edhe të tjerët të lumtur”, tha ai.