T’u kthesh buzëqeshjen 10 mijë prindërve, historia prekëse e mjekut që kujdesej për fëmijët

 T’u kthesh buzëqeshjen 10 mijë prindërve, historia prekëse e mjekut që kujdesej për fëmijët

Një ndër momentet më të vështira për një prind, është të shohë fëmijën e tij të hyjë në një sallë operimi. Ashtu ndodhi me Suzan, e cila pa foshnjen e saj të hynte në sallë për t’u operuar në intestine (zorrë).

Por pas operimit, i cili doli me sukses, ajo dhe i shoqi shpërthyen në të qara, kur panë se atje ku ishte kryer ndërhyrja, fashot ishin të vizatuara e pikturuara.

“Ishte shumë prekëse, ngushëlluese, të shihje se dikush kishte marrë mundimin e kohën që të bënte diçka të tillë për fëmijën tonë. Atë moment nuk do ta harroj kurrë”

Ky burrë quhet Robert Perri dhe është kirurg pediatër (për fëmijët) prej dekadash. Në vitet ’80, kur po kryente stazhin, vuri re që ‘mentori’ i tij pasi kryente operimin tek pacienti, kishte përherë me vete garza apo fasho në të cilat ishte pikturuar një figurinë apo një kukull.

“Kur pashë për herë të parë atë duke prerë garzat në forma zemrash thashë me vete, çfarë po bën?… por më tutje, mendova, kjo është diçka e bukur. Më pëlqeu veçanërisht reagimi i prindërve kur shihnin diçka të tillë, sepse buzëqeshja e tyre dukej sikur u hiqte mendjen nga operimi”-tregoi mjeku.

Që nga ajo kohë, Roberti ka sjellë buzëqeshje e madje lot gëzimi për të paktën 10 mijë familje, një numër që korrespondon me numrin e operimeve që ai ka bërë tek fëmijët përgjatë 30 viteve të fundit.

Përpara ndërhyrjeve, Robert shkon të vizitojë pacientët e tij dhe nis t’i pyese se çfarë kukllash apo lodrash u pëlqejnë. Ky kirurg përveçse shpëton jetë, kujdeset që të lumturojë fëmijët duke i mbuluar shenjat e operimit, me diçka që mund t’i sjellë buzëqeshje jo vetëm fëmijëve, por edhe atyre që e përjetojnë më rëndë traumën e ndërhyrjeve kirurgjikale… prindërve.