I ati i mori jetën, media gjermane jep detaje: Në mars 2020, fëmijët kishin telefonuar policinë

 I ati i mori jetën, media gjermane jep detaje: Në mars 2020, fëmijët kishin telefonuar policinë

Mediu gjerman BILD i ka kushtuar një tjetër artikull tragjedisë së ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku një 44 vjeçar shqiptar i mori jetën dy fëmijëve, qëlloi të shoqen dhe më tutje veten.

Sipas BILD, bashkëshortja e Flamur R, Avdija, u qëllua disa herë me armë dhe ndodhet në një koma artificiale në spital. Pavarësisht, jeta e saj nuk është më në rrezik.

Por përse 44 vjeçari shqiptar kreu një krim kaq mizor në gjakftohtësi, shtron pyetjen mediumi gjerman.

Çështja po hetohet nga oficerët e krimeve. Tashmë dihet se kishte patur shpesh konflikte në familjen shqiptare. Sipas fqinjëve, Flamur R kishte temperament të lartë. Ai po ashtu kishte kërcënuar të afërmit në të shkuarën, ndërsa këta të fundit e kishin raportuar në polici.

Sipas zyrës për kujdesin e fëmijëve, edhe dy djemtë e tij thuhet të kenë telefonuar në mars të vitit 2020, gjatë një debati të ashpër mes prindërve.

Sabine Schmidt, nga zyra e kujdesit për fëmijët tregoi: “Morëm një raport nga policia në 24 mars të vitit 2020, mbi një rast të dhunës në familje.”

Pas këtij rasti, autoritetet kanë tentuar të bisedojnë me familjen, siç tregon Schmidt: “Kur marrim raporte të tilla, ne flasim me të gjitha palët. Prindërit ishin shumë bashkëpunues. Nuk pamë të dhëna se kishte probleme psikologjike mes prindërve. Ne po ashtu nuk gjetëm të dhëna për rrezikimin e mirëqënies së fëmijëve”

Siç shkruan më tutje BILD, ajo që ndodhi në familjen shqiptare nga të dhënat e para duket si një ngjarje që nuk mund të parandalohej

“Nëse prindërit kanë dashur të ndahen, mund të imagjinoj që tani se situata mund të përfundojë në të tilla akte të tmerrshme. Frika për të humbur mund të luajë një rol të madh, sepse në fund të fundit, flitet për fëmijët”-thotë Schmidt