“I bie të vdesim fare kështu…” 65 mijë shqiptarë me dy mjekë në shërbimin e urgjencës

 “I bie të vdesim fare kështu…” 65 mijë shqiptarë me dy mjekë në shërbimin e urgjencës

Prej kohësh tashmë në bashkinë e Maliqit, mjekët duket si një ‘luks’ i tepruar për qytetarët. Pavarësisht pandemisë dhe problematikave të shumta që ajo ka sjellë kudo në Shqipëri, në bashkinë Maliq, rreth 65 mijë banorë të zonës janë të detyruar që shërbimet shëndetësore t’i kryejnë vetëm ditën. Nëse një urgjencë u ndodh pasdite apo natën, mjekë nuk ka. Kësisoj kush ka një hall, do duhet të niset drejt spitalit të Korçës.

“Këto vitet e fundit është shkatërruar fare. Kam gruan që merr ilaçe të tensionit. Ka ardhur këtu dhe nuk ka gjetur doktor, ilaçet i kemi marrë vetë” u shpreh një qytetar.

“Ky është shqetësim i madh, nuk ka doktorë. Këtu vetëm 4 a 5 doktorë janë gjithsej.”-tha një i moshuar.

Banorët shprehen të zhgënjyer e irrituar për këtë gjendje, e cila vijon të jetë e pandryshuar prej vitesh. Shumë banorë atje janë të detyruar që ilaçet apo mjekimet t’i marrin vetë sipas rekomandimit të mjekut.

 “Kur nuk janë doktorët, i bie të vdesim fare. Unë më mirë i marr ilaçe, më mirë të mos vijë fare e ta stakoj mendjen”-tha një i ri në prononcim për A2cnn.

Kjo situatë pranohet dhe nga vetë drejtuesja e qendrës shëndetësore, e cila shprehet se shërbimin e mbulojnë dy mjekë dhe infermierët.

“Për momentin jemi vetëm dy mjeke në qendër nga ora 8 deri në 3 siç është dhe orari zyrtar. Nuk i mbulojmë dot turnet e dyta e të treta dhe këto turne i mbulojnë vetëm infermierët. Nuk kemi mundësi fizike t’i mbulojmë. Ka goxha kohë që shërbimi është kështu.”-tha mjekja, drejtuese e qendrës shëndetësore.

Shqetësimi ka shkuar në instancat shtetërore, por deri më tani nuk ka patur ndonjë zgjidhje.