“Ime shoqe ende i dëgjon hapat e zërin e djalit” Fati i pazbuluar i 1625 të zhdukurve të luftës në Kosovë

 “Ime shoqe ende i dëgjon hapat e zërin e djalit” Fati i pazbuluar i 1625 të zhdukurve të luftës në Kosovë

Më shumë se dy dekada kanë kaluar që nga koha kur lufta e copëtoi Kosovën, por trauma vijon ende të mbetet tek Bajram Çerkini dhe të tjerë familjarë të atyre personave që ende janë të zhdukur.

Kështu e nis artikullin Agjensia Franceze e Lajmeve (AFP), e cila i ka kushtuar një shkrim viktimave që ende konsiderohen të zhdukur sot e mëse 2 dekada pas luftës së Kosovës.

Më poshtë po sjellim të plotë artikullin dhe rrëfimet e familjeve që ende nuk i kanë gjetur eshtrat e të dashurve të tyre, që mbetën viktima të një lufte mizore.

“Lufta ende nuk ka mbaruar për familjen time”-kështu thotë 82 vjeçari Barjam Çerkini, një shqiptar i biri i të cilit, Reshati, është një ndër të zhdukurit.

“Ime shoqe ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij gjatë natës”-shton i moshuari.

Në fund të viteve ’90, një luftë mes forcave serbe dhe guerrilave shqiptarë,  la të dekur afro 13 mijë persona dhe përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s.

Mijëra të tjerë u zhdukën- shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë orvatjeve për spastrim etnik dhe më tutje u vranë, trupat e tyre u hodhën në varreza masive, në puse uji ose u dogjën.

Në vitet pas luftës, ekspertë nga i gjithë globi zbarkuan në Kosovë në një orvatje për të identifikuar eshtrat e për t’ja kthyer familjeve, por edhe për të dokumentuar krimet e luftës.

Në disa raste, vetëm fragmente të vogla kockash mundën të rikuperoheshin dhe t’u dërgoheshin familjeve. Por jo të gjitha u gjendën, me 1625 zyrtarisht të zhdukur sipas autoriteteve të Kosovës.

Fati i të zhdukurve është një nga shumë pikat e nxehta që pengojnë bisedimet mes Kosovës e Serbisë, qëkur kjo e para u shkëput dhe deklaroi pavarësinë më 2008, një lëvizje që kurrë nuk u njoh zyrtarisht nga Beogradi.

Vesel Rukoll duke treguar emrin e te atit ne memorial

Në kërkim të varrezave masive

Zyrtarët në Kosovë vijojnë të akuzojnë Serbinë se po zvarrit procesin, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj për refuzim të zbulimit të vendndodhjes së varrezave.

Gjatë momenteve të fundit të luftës, teksa serbët po tërhiqeshin nga Kosova në mesin e bombardimeve të NATO-s, varrezat masive në mbarë Kosovën u hapën me ngut. Mbetjet u dërguan në Serbi për t’i fshehur dëshmitë e krimeve.

Që nga përfundimi i luftës, rreth 1.000 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë nxjerrë nga vende të ndryshme në mbarë Serbinë – përfshirë qindra nga një varrezë masive në një qendër të policisë speciale afër Beogradit.

“Në përpjekje për të fshehur një krim, ata kryen një tjetër”, thotë Andin Hoti, kryetar i komisionit të Kosovës për personat e zhdukur – babai i të cilit nuk dihet se ku ndodhet.

Ngjashëm edhe në Bonje, atje ku ekspertët po vijojnë ende përpjekjet për të gjetur varreza të tjera masive pranë Srebrenicës, ku afro 8 mijë burra e djem muslimanë u masakruan nga forcat serbe.

“Po bëhet vështirë e më vështirë për të gjetur varrezat masive. Ne ende po kërkojmë për më shumë se 1 mijë persona”-tha Almasa Salihoviç, një zëdhënëse e Qendrës Memoriale të Srebrenicës.

Në Kosovë, ku OJQ-ja e Bajram Çerkinit, “Zëri i Prindërve”, është njëra nga disa që i përfaqësojnë familjet e të zhdukurve, çështja shkon përtej sferës politike.

Në kryeqytetin Prishtinë, një ekspozitë arti, e quajtur “Një varr është më i mirë se mosdija”, synon ta shpërfaqë dhimbjen e të pangushëlluarve, me orë digjitale me ngjyrë të kuqe që i shfaqin orët e minutat që kanë kaluar që nga koha kur familjet i panë për herë të fundit të dashurit e tyre.

“Ndoshta nesër”

Por edhe kur eshtrat përfundimisht nxirren, shpesh nxitet një traumë e re.

Në tetor, Vesel Rukolli u informua se mbetjet e babait dhe xhaxhait të tij janë nxjerrë nga një varr disa muaj më parë në Kizevak, në jug të Serbisë.

Gjetjet erdhën pesë vjet pasi disa nga mbetjet e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi.

Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999, pasi forcat e Serbisë masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës.

Në kohën kur forcat serbe ikën, ato përdorën një buldozer për t’i larguar trupat, duke i gjymtuar shumë prej viktimave. Pas këtij zbulimi, familja u detyrua të zhvarrosë trupin e xhaxhait të tyre të ndjerë për teste, përpara se ta varrosë për herë të dytë.

“Ishte diçka e rëndë, shumë e lodhshme (shpirtërisht)”tregoi Rukolli duke psherëtirë, teksa po rregullonte një kurorë me lule në varrin e xhaxhait të tij.

E teksa shumica e të vrarëve e të zhdukurve i përkasin kosovarëve, shumë serbë janë të pagjetur- një pikë që Beogradi shpesh e ngre në luftën e vet të fjalëve me zyrtarët e Kosovës.

Zyrtarët në Prishtinë këmbëngulin se janë duke e marrë çështjet seriozisht, me pesë vende të zbuluara në Kosovë, ku po kërkohen viktima serbe të luftës.

Për më shumë se 22 vjet, Svetlana Marinkoviç ka qenë në pritje të lajmit për fatin e bashkëshortit të saj, pasi ai ishte zhdukur vetëm disa ditë pas përfundimit të konfliktit.

Graçanicë

“Ndoshta nesër do ta marrim vesh”, i tha Marinkoviç agjencisë AFP nga shtëpia e saj në Graçanicë.

“Shpresa vdes e fundit.”

Këtu gjeni linkun e lajmit, i përcjellë nga France24