“James Bond” i bamirësisë, miliarderi që do të ikë nga kjo botë pa asnjë kacidhe

 “James Bond” i bamirësisë, miliarderi që do të ikë nga kjo botë pa asnjë kacidhe

Në vitin 1960 në SHBA, ai së bashku me një ortak sollën në jetë idenë e tregtimit me pakicë në aeroporte, në atë që njihet si ‘Duty Free Shoppers’.

Pas më shumë se 40 vitesh pune si filantrop, Charles ‘Chuck’ Feeney mbylli shoqërinë e tij bamirëse, me një bilanc prej 8 miliardë dollarësh të dhëna si donacione. E gjithë pasuria e tij shkoi për bamirësi dhe ashtu siç ai kërkonte, derisa ai të ishte gjallë.

Feeney dha një intervistë për revistën prestigjoze Forbes. Rreth 2 milionë dollarë kishte planifikuar të ruante për ‘pensionimin’ e tij e të gruas. Me fjalë të tjera, ai ka dhënë 375,000% më shumë para sesa vlera aktuale neto e ‘pasurisë’ së tij aktuale. Dhe të gjitha paratë, u mundua t’i japë tërësisht në mënyrë anonime.

Si një filantrop, ai i qëndronte idesë se paratë duhen dhënë sa je gjallë dhe jo përmes një fondacioni pas vdekjes. ‘Pse të mos e jepni pasurinë tuaj sa jeni gjallë’ pyet Feeney. Veprat bamirëse të ‘Chuck’ kanë tërhequr vëmendjen e medias, aqsa në një artikull të disa viteve më parë, ‘Forbes’ e quajti Feeney-in si ‘James Bond’ i filantropisë.

“Unë shoh pak arsye për të vonuar dhurimin e pasurisë kur kaq shumë të mira mund të arrihen përmes mbështetjes së kauzave të vlefshme. Përveç kësaj, është shumë më argëtuese të japësh derisa je gjallë sesa të japësh pasi ke vdekur. ”-tha Chuck Feeney.

Po ku shkuan 8 miliardë dollarët që dha ky bamirës në 40 vite?

Feeney dha 3.7 miliardë dollarë për sektorin e arsimit në vend, duke përfshirë gati 1 miliard dollarë për shkollën, Cornell. 870 milionë dollarë shkuan për të drejtat e njeriut dhe ndryshimet shoqërore,  kurse 62 milionë dollarë Feeney i dha për heqjen e dënimit me vdekje në ShBA. 76 milionë dollarë shkuan për fushatat që mbështetën ‘Obamacare’. Ai dha më shumë se 700 milionë dollarë për sektorin e shëndetësisë, duke filluar nga një grant prej 270 milionë dollarësh në përmirësimin e kujdesit shëndetësor publik në shtetin e Vietnamit. 176 mln dollarë më tutje, shkuan për Institutin Global të Shëndetit të Trurit në Universitetin e Kalifornisë, në San Francisco.