Kapraia, ishulli që tregon se çfarë pasojash mund të sjellë krimi i vjedhjes

 Kapraia, ishulli që tregon se çfarë pasojash mund të sjellë krimi i vjedhjes

Një ndër krimet më të shëmtuara që mund të bëjë një njeri është vjedhja, t’i marrë tjetrit diçka me rëndësi, një send me vlerë apo të hollat e nxjerra me punë.

Dhe një rast më i mirë për të treguar se çfarë pasojash mund të sjellë ky krim, është një ishull fare i vogël në Italinë fqinje, ku të gjithë banorët janë të dyshuar për vjedhje.

Prej disa kohësh në ishullin Kapraia (Capraia) kanë ndodhur një seri vjedhjesh të cilave autori ende nuk i është gjetur. Ishulli është i arritshëm veçse përmes detit dhe në sezonin turistik pret mijëra vizitorë, por në dimër, atje jetojnë veçse banorët e zonës, rreth 200 syresh.

Vjedhjet nisën papritur në ishull në dimër dhe dyert që dikur qëndronin pa çelës, tashmë janë të kyçura kudo shkon. Grabitja e fundit ndodhi në një dyqan ku shiteshin cigare. Hajduti (ose hajdutët) hynë në dyqan dhe pa zhurmë arritën të marrin 60 mijë euro prej aty.

“Mi kishin marrë të gjitha paratë. Ishin kursimet e mia. I ruaja atje sepse banka e vetme që ishte në ishull u mbyll”-tha për median italiane pronari i dyqanit të cigareve.

“Është një gjë shumë e trishtë të shohësh këto ndodhi, sepse të duket sikur ke një hajdut në familje. Edhe unë rashë pre e vjedhjes vitin e kaluar. Më kishin marrë kasafortën ku ruaja disa të holla dhe një sërë bizhuterisht. Shtëpinë e njihnin fare mirë dhe e dinin që unë do të ikja në Piza (Pisa) ditën e grabitjes”-shprehet zv.kryebashkiaku i ishullit.

E kësisoj, e gjithë ‘klima’ mes banorëve të ishullit është bërë e ftohtë njëlloj si dimri. Ka vështrime e ngrysje vetullash shpesh, në ato rrugë ku dikur kishte veçse përshëndetje. Policia (e paktë në numër) ka nisur të hetojë e kërkojë për ‘Lupenin’ që vjedh (me gjasë) miqtë e tij të ishullit. Autoritetet kujdesen që të ruajnë një distancë edhe më të largët seç duhet, por e vërteta është se të gjithë janë të dyshuar. Një krim i përsëritur, duket se ndryshoi të gjithë raportet sociale në këtë ishull të qetë.